Pas përfundimit të procedurave administrative, në Spitalin e qytetit të Dibrës kanë rifilluar vizitat specialistike në tri fusha kyçe që kishin munguar për një periudhë: Psikiatri, ORL dhe Ortopedi. Ky zhvillim po vlerësohet si hap i rëndësishëm në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Dibrës dhe rajonit. Nga Spitali i Dibrës bëjnë të ditur se, falë bashkëpunimit ndërinstitucional dhe angazhimit të kuadrit mjekësor nga Struga dhe Ohri, pacientëve do t’u ofrohen shërbime specialistike pa pasur nevojë të udhëtojnë drejt qyteteve të tjera. Shërbimet do të ofrohen nga:
Dr. spec. Genc Polisi, specialist ortoped nga Spitali “Erazmo Oher”;
Dr .spec. Edip Sheji, psikiatër nga Spitali i Strugës;
Dr.spec. Asen Shajn, specialist ORL nga Spitali i Ohrit.
Vizitat specialistike në këto lëmi do të realizohen çdo të mërkurë në ambientet e Spitalit të Dibrës, duke u mundësuar pacientëve qasje më të shpejtë dhe më të lehtë në shërbime shëndetësore të specializuara. Nga udhëheqësia theksojnë se bashkëpunimi rajonal mbetet kyç për garantimin e kujdesit shëndetësor cilësor dhe të vazhdueshëm për qytetarët.


