LSDM-ja opozitare kritikon VMRO-në se me propozim ligjin për mbrojtje nga duhani tenton të shpërqendrojë vëmendjen e opinionit nga gjendja e rëndë ekonomike. Sipas tyre, VMRO-DPMNE përmes këtij ligji po mundohet që ta heshtë zërin e qytetarët dhe bizneseve të prekura në këtë rast.
“Qëllimi i qeverisë është që të gjithë qytetarët të flasin për ndalimin e duhanit, pronarët e bizneseve të vogla të kujdesen për bizneset e tyre dhe askush të mos flasë për krimet e qeverisë, tenderët, emigrantët, interesat e biznesit të Orbanit me një operator të ri celular”, njoftojnë nga LSDM.
Tregtarët tjetër vlerësojnë se ligji i ri për mbrojtje nga duhani do t’i vë drynin mbi 4 mijë bizneseve. Ata kërkojnë një zgjidhje ligjore më të drejtë për ta, si dhe një periudhë kohore gjatë së cilës do të mund të përshtaten me rregulloret e reja ligjore.
“Veçanërisht jemi të prekur ne që gjatë viteve të kaluara kemi investuar për të rregulluar hapësirat e shitjes me pajisjet e nevojshme, vitrinat dhe sistemet e sigurisë, të gjitha të përshtatura për shitjen e produkteve të duhanit, nga të cilat realisht sigurojmë pjesën më të madhe të të ardhurave. Investimet janë bërë me kredi dhe borxhe të mëdha, kështu që kjo ndryshim i papritur na shkakton probleme serioze financiare”, thonë Tregtarët e vegjël.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë thotë se është e gatshme për bisedime me të gjitha palët e përfshira.
“Sa i përket komunikimit me palët e prekura, Ministria mbetet e hapur për dialog me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë dhomat ekonomike dhe shoqatat. Të gjitha iniciativat dhe kërkesat shqyrtohen brenda mekanizmave institucionalë dhe në kuadër të konsultimeve publike që janë në zhvillim”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Me projektligjin e ri për mbrojtje nga duhani parashikohet ndalimi i plotë i pirjes së duhanit në të gjitha hapësirat e mbyllura publike, pa asnjë përjashtim, si dhe vendosja e kufizimeve të rrepta për shitjen dhe ekspozimin e cigareve si dhe atyre elektronike që përmbajnë nikotinë. Po ashtu, pirja e duhanit do të ndalohet edhe në tarracat e kafeneve dhe restoranteve që nuk janë të hapura plotësisht nga të paktën tre anë. /Alsat.mk
