Ministria e Brendshme po kryen kontrollet e fundit 1 javë para se të hyjë në fuqi sistemi “Safe City”

Ministria e Punëve të Brendshme ka vazhduar me testimet e kamerave të sigurisë në prag të hyrjes në fuqi nga 1 shkurti të sistemit “Safe City”. Testimet sot janë realizuar në Kumanovë dhe Tetovë ndërsa po verifikohet detektimi automatik i shpejtësisë së lëvizjes së automjeteve. Ministri i brendshëm Pançe Toshkovski njoftoi se kamerat janë të sakta për shpejtësinë e lëvizjes së automjeteve ndërsa maksimumi që mund të dallojë nga shpejtësia reale e veturës është vetëm 1km/h. Përpos kamerave publike paralajmëron dhe vetura speciale të pajisura me kamera mobile që do të ndjekin veturat në lëvizje.

“MPB shumë shpejtë nga gjashtë muaj do të mundet me kamerat që i kemi implementuar në korniza të makinave të cilat janë blerë për konstatim të shpejtësisë së pa lejuar, parkimit të pa lejuar e kështu me radhë, ti vendosim në funksion dhe të vihen në funksion edhe në qytetet e tjera të Maqedonisë. Në 1-2 muajt e ardhshme mund të presim vetura që do të jenë në terren në gjithë Maqedoninë”, tha Pançe Toshkovski – Ministër i Brendshëm.

Duke komentuar akuzat e opozitës se projekti është diskriminues dhe është vendosur në vendbanime kryesisht shqiptare, Toshkovski thotë se kamerat nuk njohin përkatësinë etnike të shoferëve.

“Kamera nuk njeh as maqedonas as shqiptar. As burrë e as grua. Mendoj, njeh burrë e grua sepse regjistrohet fotografia por nuk njeh etnitet, nuk njeh familjarë, nuk njeh të afërm. Thjeshtë ai që do të kryejë shkeljen në trafik, në korniza të procedurave do të duhet të bartë përgjegjësi për atë”, u shpreh Pançe Toshkovski – Ministër i Brendshëm.

Nga MPB theksojnë se përdorimi i sistemit tashmë ka treguar efekte pozitive në drejtim të rritjes së disiplinës në trafik dhe reduktimit të rreziqeve në rrugë./Alsat.mk