Komuna e Strugës dënon ashpër ndërprerjen e energjisë elektrike nga EVN ndaj NP “Ujësjellës dhe Kanalizim” – Strugë

❗️ Komuna e Strugës dënon ashpër ndërprerjen e energjisë elektrike nga EVN ndaj NP “Ujësjellës dhe Kanalizim”-Strugë

Pa asnjë paralajmërim, EVN ndërpreu sot rrymën në të gjitha njësitë e Ujësjellësit të Strugës, duke rrezikuar furnizimin me ujë të pijshëm për mijëra qytetarë, një veprim i papërgjegjshëm dhe i papranueshëm.

Menjëherë pas njoftimit, Kryetari i Komunës së Strugës, z. Mendi Qyra, intervenoi urgjentisht duke siguruar mjete për pagesën e rreth 2.000.000 denarëve, me qëllim tejkalimin e situatës emergjente.

Nga ana tjetër, borxhi i akumuluar shumëvjeçar i NP “Proaqva” ndaj EVN-së kap vlerën mbi 3.000.000 EURO, ndërsa këstet mujore për shlyerjen e tij janë rreth 3 milionë denarë.

Pavarësisht keqmenaxhimit shumëvjeçar në ndërmarrje, deri më tani ka ekzistuar praktikë e kompromisit nga ana e EVN-së, përmes pranimit të pagesave me këste dhe respektimit të dinamikës së dakorduar. Kjo praktikë u ndërpre sot, në mënyrë të papritur dhe pa asnjë paralajmërim.

Komuna e Strugës apelon deri tek EVN për qasje më të përgjegjshme dhe komunikim korrekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për një shërbim jetik si uji i pijshëm.

Problemi u zgjidh për momentin, por Komuna do të punojë për një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme.