Takimi i liderëve, heshtje për ndryshimet kushtetuese

Asnjë kërkesë ose kushtëzim direkt ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski, as nga opozita shqiptare dhe as nga partnerët e koalicionit qeveritar, për ndryshimet kushtetuese. Edhe pse liderët u ulën dhe diskutuan për shumë çështje të hapura, përfshirë edhe disa nga ligjet e agjendës së reformave, zhbllokimi i procesit të fillimit të negociatave me BE-në, nuk u hap aspak si temë.

Asnjëri nga liderët nuk deklaroi se ka kërkuar sqarime nga kryeministri për planet e tij për periudhën e ardhshme, se si planifikon të zhbllokojë rrugën eurointegruese dhe kur.

Kreu i BDI-së Ahmeti, shkurt foli për përkushtimin, pa e potencuar që kjo mund të ishte edhe një kushtëzim për qeverinë në këmbim të badenterit që Mickoski e kërkon prej tij në Kuvend.

“Ne mbetemi të përkushtuar për të ndihmuar që të gjendet një zgjidhje sa më e shpejtë me qëllim që vendi ynë të zë vendin e merituar në Bashkimin Evropian” , tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

VLEN dhe ZNAM nuk e përmendën aspak këtë si shqetësim të takimit. VLEN para formimit të qeverisë kishte dhënë afat gjashtëmujor për zgjidhje kurse më pas thanë se do të fokusohen në zgjidhje, pa krijuar një raport me kushtëzime mes partnerëve të koalicionit.

“Gjatë bisedimeve për formimin e qeverisë së re, ne si koalicion VLEN kemi dhënë një afat gjashtë mujorë, brenda të cilit qeveria duhet të dalë me propozim konkret për zgjidhjen e problemit me ndryshimet kushtetuese. Aktualisht jemi në muajin e katërt, dhe pa skaduar ky afat nuk kemi pse e komentojmë. Kur të afrohemi nga fundi, atëherë do ta shohim se cilat do të jenë hapat e mëtutjeshëm”, kishte thënë Orhan Murtezani, VLEN.

Ndryshimet kushtetuese nuk i përmendi as kryeministri kurse ata janë kushti kryesor që vendi të hapë kapitujt e anëtarësimit. BE-ja nuk ka ofruar asnjë alternativë tjetër në këmbim. / Alsat.mk