Të gjitha viktimat e zjarrit në Zvicër janë identifikuar – Midis 40 të vdekurve janë 26 adoleshentë

Autoritetet zvicerane kanë identifikuar të 40 viktimat e një zjarri të tmerrshëm që shpërtheu në një bar në vendpushimin e njohur të skive të Crans-Montana në natën e Vitit të Ri, ku më shumë se gjysma e të vrarëve ishin 18 vjeç ose më të rinj.

Zjarri, i cili shpërtheu në barin Le Constellation në orën 1:30 të mëngjesit më 1 janar, u shkaktua nga përdorimi i fishekzjarrëve brenda lokalit, konfirmoi zyra e prokurorit. Hetuesit besojnë se zjarri më pas u përhap me shpejtësi, duke përfshirë pjesën më të madhe të hapësirës vetëm në pak sekonda, duke e bërë arratisjen pothuajse të pamundur, raporton Daily Mail .

Dyzet persona nga shtatë vende humbën jetën në tragjedi, 26 prej të cilëve ishin midis moshës 14 dhe 18 vjeç. Disa nga trupat u dogjën përtej njohjes dhe u identifikuan nëpërmjet analizës së ADN-së. Të vdekurit përfshinin 21 shtetas zviceranë, tetë shtetas francezë, pesë italianë dhe të rinj nga Rumania, Belgjika, Portugalia dhe Turqia, si dhe vajza me shtetësi të dyfishtë dhe të trefishtë.

116 persona të tjerë u plagosën, disa prej të cilëve ende po luftojnë për jetën e tyre. Pronarët francezë të barit, Jacques dhe Jessica Moretti , janë nën hetim nën dyshimin për vrasje të paqëllimshme. Hetuesit po kontrollojnë nëse izolimi i zhurmës në tavan ishte në përputhje me rregulloret e sigurisë, ndërsa ish-punonjësit pretendojnë se fikësit e zjarrit ishin të kyçur dhe dalja e emergjencës ishte e bllokuar.