Përkujtim për arsimtarin Gafur Xhila!

Përkujtim për arsimtarin Gafur Xhila!

Arsimtari Gafur Xhila lindi më 15.01.1951 në fshatin Misllodezhda dhe u nda nga jeta më 8 shtator 2023. I pasionuar pas numrave dhe problemeve matematikore, ai që në bankat e shkollës u dallua si nxënës i shkëlqyer, duke ndjekur me përkushtim rrugën që e çoi drejt diplomimit në Matematikë.

I ndjeri ars. Gafur punoi me përkushtim të madh në arsim për shumë vite. Karrierën e tij e nisi në disa shkolla fillore në Shkup, ku shërbeu nga viti 1970 për 6 vite me radhë. Më pas, për plot 39 vjet, nga viti 1976 deri në vitin 2015, ai punoi në SHFK “Vëllezërit Milladinovci” në Strugë, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në edukimin e shumë gjeneratave.

Gjatë gjithë punës së tij, ai e shndërroi profesionin në pasion. Shquhej për pedantëri, modesti dhe karizëm, për fisnikëri dhe çiltërsi njerëzore—virtyte që i përcolli te familja, kolegët dhe mijëra nxënës të tij për gati katër dekada. Profesionalizmi i tij i madh dhe përvoja e gjatë në arsim do të lënë një zbrazëti të madhe te të gjithë ata që e njohën, e sidomos te matematika të cilës ai iu përkushtua gjithë jetën.

Ai edukonte me pamje e mendje, me veshje e sjellje, me qëndrim e lëvizje; dhe mbi të gjitha, ai mësonte me gjithë zemër. I tillë ishte dhe i tillë do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë—arsimtari i dashur që e kujton me nderim kolektivi i shkollës fillore komunale “Vëllezërit Milladinovci”, si dhe familja e ngushtë Xhila.