Zgjedhjet lokale të tetorit kanë prodhuar një sërë pikëpyetjesh në skenën politike shqiptare të vendit sa i përket pozicionimit në pushtetin lokal dhe qendror. VLEN, i cili doli fitimtar në garën për zgjedhjen e kryetarëve të komunave, është mbyllur prapa dyerve, ndërsa kryetarët e partive po negociojnë pozitat me shatë në duar.
Pesha politike shqiptare në Qeveri mbase nuk do të ndryshojë, meqë kryeministri Hristijan Mickoski, nuk e mori parasysh lutjen për të shtuar dhe një resor në hambarin e VLEN-it dhe me këtë, u konfirmua se masa e basmës që VLEN ka prerë për kostumin e ri të pushtetit doli të jetë e pasaktë. Kështu, numri i funksioneve do të mbetet i njëjtë, ndërsa do të ndryshojnë vetëm emrat, të cilët sërish do të jenë rezultat i një operacioni matematikor me shumë të panjohura.
Megjithatë, të gjitha këto lëvizje do të bëhen pasi VMRO-ja të ketë kryer kongresin partiak në dhjetor. E deri atëherë, pozita më e fuqishme politike në Qeveri, ajo e kryeministrit të parë shqiptar mbetet bosh, ndërsa Bekim Sali i propozuar për këtë detyrë, do të vazhdojë të jetë deputet. Bosh do të jetë edhe pozita e ministrit të Ekologjisë, për të cilin resor, jozyrtarisht është propozuar ish zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.
I panjohur mbetet edhe epilogu i negociatave të VLEN-it në kuadër të Qytetit të Shkupit, për të emrat e drejtorëve të ndërmarrjeve publike, ani pse, Orce Gjorgjievski ende pa filluar bisedimet emëroi drejtorë në katër ndërmarrje. Madje, edhe në Higjienën Komunale, i cili gjatë fushatës zgjedhore nga zyrat partiake të VLEN-it, doli si emër që është dakorduar për të menaxhuar një kuadër i tyre. Në këtë drejtim, VLEN-it i mbetet të negociojë udhëheqjes e ndërmarrjeve të mbetura, sipas të gjitha gjasave për Parqe dhe Gjelbërim dhe Drislla, ose me më pak gjasa, Lajka dhe Parkingjet.
Ndërkohë, në rrafshin e pushtetit lokal ka edhe mosmarrëveshje sa i përket kryetarëve të këshillave komunal. Në Strugë, VMRO nuk lëshon pe, kërkon kryesuesin, sekretarin e komunës dhe drejtues të ndërmarrjeve dhe shkollave. Në Butel, VMRO shpërfilli VLEN-in, duke bërë koalicion me Lëvicën dhe LSDM-në. Njëjtë ndodhi edhe në Bërvenicë, ku blloku maqedonas u bë bashkë kundrejt këshilltarëve shqiptar, duke formuar shimicën. Ndërkohë në Kumanovë edhe përkundër mbështetjes që ia dha VLEN-i, Maksim Dimitrievski 3 drejtori ia ndau VMRO-së, 2 ZNAM-it, ndërsa VLEN-in e barazoi me Partinë Serbe, duke u ndarë me nga 1 drejtori.
Ndërkohë në rrafshin politik, mbetet e ngrirë, çështja e shkrirjes së koalicionit në një parti të vetme, e cila pavarësisht premtimit dhe dëshirës së shprehur në opinion nga eksponentët e VLEN-it, dukshëm prapa dyerve kjo ide shtyhet rëndë. Mu për shkak matematikave për ndarje të pushtetit. /Alsat.mk
