BDI deri më 20 dhjetor duhet të mbajë kongresin e partisë për të zgjedhur emrat e rinj të funksionarëve partiak. Kjo u vendos në mbledhjen e djeshme të Kryesisë në Reçicë të Vogël, ku integristët diskutuan rezultatet e zgjedhjeve lokale, në të cilat BDI-ja nuk arriti të marrë udhëheqjen në shumicën e komunave ku banojnë shqiptarët.
Ndërkohë nëpër rrjete sociale, funksionarë të caktuar të BDI-së, kanë filluar të japin porosi për reforma brenda partisë me të cilën udhëheqë Ali Ahmeti.
Nënkryetarja e partisë dhe deputetja Arbana Pasholli shkruan se mbarimi i një kapitulli nënkupton fillimin e një kapitulli të ri.
Ndërkohë, kolegia e Pashollit në Kuvend, Dijana Toska, situatën e përshkruan me tipare të zogut mitologjik Feniks, i cili sipas legjendës pasi digjet, ringjallet nga hiri i vet. Ringritja nuk është rastësi, është frymë e re që nuk ndalet, thotë Toska.
Nga ana tjetër, anëtari i Kryesisë Qendrore dhe ish ministri Kreshnik Bekteshi ka shkruar në status vetëm një fjalë me shkronja të mëdha “Rilindje”. I cili, mbase rikujton sloganin e përdorur mbi një dekadë nga Partia Socialiste e Edi Ramës.
Porosi për fillim të ri, dërgon edhe kryetari i Degës së BDI-së në Strugë, Faton Pollozhani, pasi kandidati i koalicionit humbi zgjedhjet në Strugë.
Derisa integristët duhet të vendosin për hapat e mëtutjeshëm politik, profesori universitar Sefer Tahiri mbrëmë në intervistën për Alsat theksoi që rezultati i fundit zgjedhor është alarm i kuq për BDI-në dhe Ali Ahmetin për çka duhet të mbajnë përgjegjësi të gjitha strukturat partiake. Sipas Tahirit, BDI në këto zgjedhje është ndëshkuar me votë, pikërisht për shkak të mos ndryshimit të kuadrove.
“Bashkimi Demokratik për Integrim neve gjithë këto vite nga viti 2002 na i ofron maksimumi të themi 30 figura të cilat i rrotullon nga pozicionet ministër-deputet-drejtor-kryetar komune dhe vetëm i lëvizë të njëjtit. Mendoj që popullata këtë fakt e ka detektuar, e ka evidentuar dhe duke u nisur nga mosndryshimi apo mosfreskimi i kuadrove ka ndodh pra, një dënim me votë”, tha Sefer Tahiri, analist politik.
Gjatë kohës derisa BDI ishte në pushtet, për shkak të mospajtimeve me ish zëvendëskryeministrin Artan Grubi, u formua “Grupi i zjarrit” nga disa funksionarë partie. Pas dështimit të tentativave për të gjetur gjuhën e përbashkët brenda partisë, grupi vendosi të dalë si fraksion, ndërsa pas zgjedhjeve të mbajtura në disa degë të BDI-së dhe organizimin e strukturave të reja, Izet Mexhiti, formoi parti dhe nisi bashkëpunimin me opozitën shqiptare e cila kulmoi me krijimin e koalicionit VLEN. /Alsat.mk
