Edhe përkundër numrit të madh të festave, autoritetet nuk do ta ndjekin shembullin e shumë vendeve evropiane për të reduktuar listën

Pas paralajmërimeve të disa shteteve evropiane për heqjen nga kalendari të disa festive shtetërore, me qëllim rritjen e numrit të ditëve të punës dhe nxitjen e rritjes ekonomike, autoritetet në Maqedoninë e Veriut thonë se për momentin nuk ka asnjë propozim për uljet e numrit të ditëve festive tek ne.

“Ju informojmë se festat shtetërore mbeten të paprekura, ato janë pjesë e kalendarit vjetor të ditëve të jopunës sipas Ligjit për Ditët e Festave të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thonë nga Qeveria.

Qytetarët kanë mendime të ndara, disa thonë se nëse nuk do të kishte festa shtetërore, nuk do të mund të pushojnë, ndërsa të tjerët mendojnë se ka shumë festa dhe duhet të punohet më shumë.

Anketë me qytetar

“Festat shtetërore duhen, sepse duhet të afirmohet shteti për çdo veprim që ka bërë, për çdo moment historik që ka shënuar, madje mund të shtohen edhe më shumë dhe askush nuk do të ketë kundërshtime.”

“Nëse shikon më shumë krizën botërore, duhet të punohet më shumë që edhe shteti ynë të mbijetojë, përndryshe kështu nuk mund të mbijetojë.”

“Duhet, sepse tek ne ka shumë ditë festash.”

Maqedonia e Veriut ka 28 ditë jopune gjatë vitit për shkak të festave të ndryshme shtetërore dhe fetare, gjë që e vendos atë në krye të rajonit sipas numrit të ditëve jopune. Numri më i vogël i ditëve jopune është në Shqipëri dhe Kroaci, edhe atë 14 ditë, në Bosnjë- Hercegovinë ka 18 ditë, ndërsa Mali i Zi dhe Kosova kanë nga 21 ditë. Në korrik, Franca propozoi që e Hëna e Pashkëve dhe Dita e Fitores mbi fashizmin më 8 maj të hiqen nga lista e ditëve jo pune në Francë. Më herët këtë vit, Sllovakia hoqi një festë shtetërore në përpjekje për të stabilizuar situatën fiskale, ndërsa Danimarka që në vitin 2023 hoqi një ditë feste pas Pashkëve. Debati nuk kufizohet vetëm në Evropë. Presidenti amerikan Donald Trump, më 19 qershor, dita që shënon përfundimin e skllavërisë, postoi në rrjetet sociale se “SHBA ka shumë ditë jo pune” dhe se kjo, sipas tij, i kushton ekonomisë miliarda dollarë./Alsat.mk