Palestinezët kanë festuar pas marrëveshjes mbi planin e paqes, festuan edhe izraelitët

“Zoti është më i Madhi”

Palestinezët në Rripin qendror të Gazës festuan pasi Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për një pjesë të planit të paqes të Presidentit të SHBA-së Donald Tramp për Gazën.

Njëkohësisht u festua edhe në Tel Aviv. Sheshi që për dy vite ishte hapësirë për protesta e dëshpërim, sot u shndërrua në hapësirë festive.

Tramp tha se Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për “fazën e parë” të planit të tij për të ndaluar luftimet dhe për të liruar të paktën disa pengje dhe të burgosur.

“Sot, kemi një lumturi të jashtëzakonshme midis të gjithë popullit palestinez, veçanërisht popullit të Gazës për shkak të lajmit për armëpushimin. Shpresojmë që Zoti do ta çdojë lumturinë tonë deri në fund. Dhe shpresojmë, me vullnetin e Zotit, që ky armëpushim të zgjasë përgjithmonë, lufta të mos kthehet më dhe ne do të jetojmë në siguri dhe paqe”, tha një i zhvendosur nga qyteti i Gazës.

Presidenti Donald Tramp tha se mund të udhëtojë në Lindjen e Mesme nëse arrihet një marrëveshje paqeje për Gazën me ndërmjetësimin e grupit negociator i Shtëpisë së Bardhë i cili qëndron në Lindjen e Mesme për të negociuar një marrëveshje për paqe në të gjithë Lindjen e Mesme.

“Nuk ka ndodhur kurrë më parë. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur më parë dhe negociatat tona të fundit, siç e dini, janë me Hamasin. Dhe duket se po shkojnë mirë, kështu që do t’ju njoftojmë. Nëse është kështu, do të nisemi ndoshta të dielën, ndoshta të shtunën, ndoshta pak më vonë se mbrëmja e së shtunës, por kjo duket se është në axhendën tonë”, deklaroi Donald Tramp, President i SHBA-së.

Familjarët e pengjeve të mbajtur në Gaza nga Hamasi mirëpritën planin e Presidentit Tramp.

“Ne jemi familjet e pengjeve. Kemi ardhur këtu në Uashington DC këtë javë për të shënuar sulmin e 7 tetorit kundër popullit tonë, kur të dashurit tanë u kapën nga terroristët e Hamasit. Sot, Presidenti Tramp e bëri këtë. Ai njoftoi pikërisht tani se të dashurit tanë, pengjet, po kthehen në shtëpi. Ne nuk do të ndalemi së luftuari derisa të shohim të gjithë 48 pengjet të kthehen në familjet e tyre, ata që u vranë në robëri dhe u varrosën në tokën e Izraelit, edhe ata që janë ende gjallë”, u shpreh një familjar i pengjeve të Hamasit.
.
Hamasi do të lirojë të 20 pengjet e gjalla në ditët në vijim në këmbim të të burgosurve palestinezë, ndërsa ushtria izraelite do të fillojë një tërheqje nga pjesa më e madhe e Gazës. Hamasi tha gjithashtu se do të lejonte hyrjen e ndihmave.

Nuk është akoma e qartë nëse palët kanë bërë ndonjë përparim në çështjet më të ashpra rreth të ardhmes së konfliktit, duke përfshirë nëse Hamasi do të çmilitarizohet, siç ka kërkuar Tramp. /Alsat.mk