VLEN ka akuzuar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti se është përgjegjës për futjen e bankave serbe në Maqedoninë e Veriut. Sipas VLEN, Ali Ahmeti është partner financiar i Aleksandar Vuçiqit dhe se e përdor fuqinë e tij politike për interesa personale dhe familjare në biznes. Duke paraqitur prova për opinionin, nga VLEN thanë se Ali Ahmeti me familjen e tij po i shet pasuri bankës së regjimit të Aleksandar Vuçiqit ndërsa nga ana tjetër premtonte themelimin e një banke shqiptare. VLEN tha se ka ardhur koha të mësohet se pas vellos së patriotizmit të BDI-së fshihen vetëm para, krim dhe “bota serbe”.
“Kompania “AS Senjak” nga Kërçova, e njohur për opinionin për shumë skandale të tjera, e cila është në pronësi të mikut të Ali Ahmetit, përkatësisht babait të gruas së djalit të tij, ka poseduar mijëra aksione në Stopanska Banka – Manastir. Këto aksione në pronësi të familjes së Ali Ahmetit janë shitur pikërisht te Alta Banka nga Beogradi, në pronësi të Davor Macura, një nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe bankë e lidhur drejtpërdrejt me regjimin serb të Aleksandar Vuçiqit. Kjo shitje ka ndodhur më 17.09.2025.Vetëm dhjetë ditë më parë”, thonë nga VLEN.
Nga VLEN akuzojnë se kjo nuk është një transaksion i rastësishëm biznesi por është lidhje direkte e Ali Ahmetit me Aleksandar Vuçiqin. Kjo është një lidhje financiare që e inkuadron regjimin serb në sektorin bankar të Maqedonisë. Gjithashtu, nga VLEN akuzojnë se kjo është një provë që Ali Ahmeti nuk është vetëm partner politik me njerëz nga Serbia, por edhe pjesë financiare e rrjetit të Vuçiqit.
“Sot mund të themi se Ali Ahmeti përmes biznesit dhe bankave e futi “Botën Serbe” në Maqedoni. BDI për njëzet vjet manipulojnë qytetarët duke folur për patriotizëm, ndërsa pas perdes shesin kapital te regjimet serbe. Me këtë, Ali Ahmeti dhe njerëzit e tij e vënë drejtpërdrejt në rrezik sistemin financiar dhe e bëjnë shtetin të varur nga Beogradi. Shqiptarët i kthejnë përsëri në varësi nga qendra serbe. Qytetarët duhet ta dinë se BDI nuk është parti politike që i mbron shqiptarët në Maqedoni. BDI është firmë private e Ali Ahmetit që shërben për pastrim parash, për korrupsion dhe pasurim personal”, thonë nga VLEN.
VLEN thotë se provat përveç opinionit do ti shohin edhe organet e shtetit. Sipas VLEN, kjo është vetëm një pjesë e vogël e gjithë aferës dhe lidhjes së Ali Ahmetit me të gjitha strukturat antishqiptare në rajon./Alsat.mk
