NGA KORÇA NË PRILEP – RRUGËTIMI I NJË MËSUESE QË NUK U DORËZUA KURRË!

Përkujtesë

Rubrika : Personalitete që lanë gjurmë në rrethin e Prilepit (9)

NGA KORÇA NË PRILEP – RRUGËTIMI I NJË MËSUESE QË NUK U DORËZUA KURRË!

MAGBULE LUARASI
(09.03.1919 Resnjë – 12.10.1987 Prilep)

Magbule Luarasi lindi më 9 mars 1919 në Resnjë. Babai i saj, Riza bej Luarasi, ishte me prejardhje nga fshati Luaras, rreth 60 kilometra larg nga Korça. Ai jetonte në Prespë, ku zotëronte një çiflig të madh dhe kishte arritur të krijojë pasuri të konsiderueshme. Riza beu u martua me Xhevrijen nga fshati Gërçar të Prespës, me të cilën pati gjashtë fëmijë: tre djem dhe tri vajza. Magbulja ishte vajza më e madhe e familjes.

Shkollën fillore Magbulja e kreu në Resnjë, ndërsa të mesmen e përfundoi në Liceun e Korçës. Pas ardhjes së pushtuesit serb, në vitin 1927, familja e saj u detyrua të shpërngulet në Korçë. Aty jetoi deri në vitin 1942, kur Komiteti i Qarkut të Korçës e dërgoi përsëri në Prespë, kësaj radhe me një mision të posaçëm. Si partizane, ajo mori përsipër organizimin e shqiptarëve të Prespës për kryengritje kundër fashizmit gjerman.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, Magbule Luarasi u emërua mësuesja e parë e grupit klasor në fshatin Carev Dvor të Resnjës. Edhe pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro -jugosllave, në periudhën e njohur si Informbiro, Magbulja nuk u kthye më në Shqipëri, por vendosi të qëndronte përgjithmonë në ish-Jugosllavi. Megjithëse iu desh të përballej me vështirësi të mëdha, e ndarë dhe larg familjes, ajo nuk hoqi dorë nga misioni i saj si mësuese, profesion të cilin e kishte dashur gjithmonë me pasion.

Në vitin 1947, Ministria e atëhershme e Arsimit e caktoi Magbule Luarasin në një detyrë të re, duke e emëruar mësuese të grupit klasor në shkollën “Ismail Aliti” në fshatin Desovë të Prilepit. Qëndrimi i saj atje ishte i shkurtër, pasi më pas u transferua për të dhënë mësim në shkollën “Liria” në fshatin Zhitoshe të Krushevës. Pas vrasjes së mësuesit gjirokastrit Mufit Sinojmeri, në vitin 1954, Magbulja e lë Zhitoshen dhe transferohet sërish, këtë herë në fshatin Cërnilishtë të Prilepit, ku vazhdoi të ushtrojë profesionin e saj deri në pensionimin në vitin 1967.

Pas pensionimit, Magbule Luarasi vazhdoi të jetojë edhe katër vjet në fshatin Cërnilishtë. Falë pensionit të luftës, në vitin 1971 arriti të blejë një banesë në Prilep, ndonëse fillimisht kishte aplikuar për të jetuar në Manastir, por kërkesa e saj nuk ishte aprovuar. Në Prilep do të jetojë me dy fëmijët e saj, Enverin dhe Xhevdetin, deri në vdekjen më 12 tetor 1987. Amaneti i saj ishte të varrosej në Korçë ose në Cërnilishtë, por për shkak të marrëdhënieve të acaruara me ish-Jugosllavinë, u varros në fshatin Cërnilishtë të Prilepit.

Për guximin dhe atdhedashurinë e Magbule Luarasit dëshmon edhe një ngjarje që kishte ndodhur pas demonstratave të vitit 1968, kur ajo ishte mësuese në fshatin Cërnilishtë. Kolegia e saj, Bllaga, kishte denoncuar mësuesin Musa Polisin nga Dobovjani i Strugës, duke e akuzuar se donte të vendoste flamurin shqiptar në minare. Në fshat erdhën policë dhe inspektorë, ndërsa disa qytetarë, për të shmangur telashe mohuan gjithçka, duke thënë se ishin turq.

Atëherë Magbulja, me guxim të madh, ju drejtua të gjithëve: “Ju prindër flisni shqip dhe fëmijët tuaj mësojnë në shqip, pra jeni shqiptarë. Po të duhej dikush ta vendoste flamurin, mua më takonte ta bëja. Ti, kolege Bllaga, duhet të kesh turp për shpifjet.” Pas kësaj ndërhyrjeje, policët dhe inspektorët u larguan nga vendi pa arrestime!
/Muzeu virtual “Pelagon”/
Përzgjedhur nga publicusti, Nijazi Muhamedi