Vazhdon avazi i vjetër i shpërdorimit të burimeve shtetërore për qëllime partiake gjatë fushatës

Asgjë nuk i pengon zyrtarët politikë që të shfrytëzojnë burimet shtetërore gjatë fushatës zgjedhore.

Pavarësisht paralajmërimeve dhe rregullave ligjore, praktikat e vjetra të punësimeve para zgjedhjeve, përdorimit të automjeteve dhe hapësirave shtetërore për interesa partiake si dhe presionet ndaj punonjësve administrativë, po përsëriten edhe këtë herë.

Situata bëhet më e ndjeshme, pasi për herë të parë në prag të zgjedhjeve nuk kemi kryetar të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

“Tash kur them me keqardhje që avazi i vjetër vazhdon, shihet edhe se për herë të parë kemi mbetur edhe pa krye të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, që nuk do të thotë se komisioni nuk mund t’i kryejë detyrat, mirëpo është një situatë shume e pavolitshme, pasi në rast se duhet te sillet ndonjë vendim me mendime të kundërta nga anëtarët, dhe të sillet me mbivotim, nuk mund të ndodh pasi numri është 6 anëtarë, nuk është numër tek që të mund të mbivotohet”, tha Shemsi Sallai, ish anëtar në Komisionin Antikorrupsion.

Sallai thotë se po ashtu për herë të parë, në kuadër të një cikli zgjedhorë qytetarët janë më të pambrojtur, për shkak se nuk kemi as Avokat të Popullit

“Nga ana tjetër qytetarët, nuk janë të mbrojtur aspak, edhe pse punën e Avokatit të Popullit e kryen zëvendësi i tij, mirëpo nuk është ajo që duhet të jetë. Kjo është një pasqyrë e keqe për arenën ndërkombëtare të shtetit, që synon të jetë në BE”, theksoi Shemsi Sallai, ish anëtar në Komisionin Antikorrupsion.

Në ndërkohë Komisioni Antikorrupsion njoftoi se në Regjistrin e makinave të institucioneve  shtetërore, ato të vetëqeverisjes lokale, ndërmarrjet publike apo subjektet e tjera juridike që posedojnë kapital, kanë paraqitur të dhëna vetëm për 1 916 makina nga 6 500 sa i posedojnë gjithsej. Nga Qeveria bëjnë thirrje që të gjitha institucionet të dorëzojnë numrin e saktë të makinave.

“E pash edhe unë atë lajm nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, dhe ja si zëdhënëse e Qeverisë, u bëj thirrje të gjitha institucioneve që ta dorëzojnë numrin e makinave zyrtare. Tashmë është sjellë edhe vendim në seancë të Qeverisë, se afati për vendosje të targave me ngjyrë është deri më 15 shtator edhe atë do ta përfundojmë, me qëllim që të mos ketë më keqpërdorime të makinave zyrtare”, u shpreh Marija Miteva, zëdhënëse e Qeverisë.

Sipas vendimit të Qeverisë, deri më 15 shtator, të gjitha makinat zyrtare, duhet të marrin targa speciale me ngjyrë të kuqe, që do të mundësojë evidentim preciz të përdorimit të çdo makine zyrtare. / Alsat.mk