Kandidatët e pavarur me vetëm dy nënshkrime në zgjedhjet lokale

Do të mjaftojnë vetëm dy nënshkrime që cili do prej qytetarëve të mund të kandidojë si i pavarur për kryetar komune apo për këshilltar komunal. Ky është vendimi i fundit i Komisionit Shtetëror Zgjedhor i cili dje miratoi rregulloren e re për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.

E vetmja kundër këtij propozimi ishte anëtarja Ditmire Shehu.

“Pasi neni 62 nuk kemi mbledhje të nënshkrimeve, këtu si do ta rregullojmë procedurën? Edhe nga e drejta e KSHZ-së të caktojë mbledhjen e dy nënshkrimeve? Nga doli se ne duhet t’i obligojmë listat e pavarura të mbledhin dy nënshkrime?”, tha Ditmire Shehu – Anëtare e KSHZ-së.

Zgjidhje tjetër ofroi edhe anëtari tjetër Aleksandar Dashtevski, i cili u bazua në nenin 63 të Kodit Zgjedhor ku sqarohet mënyra e mbledhjes së nënshkrimeve për kandidim, ndërsa sipas Dashtevskit, duhet që propozimi i listës së kandidatëve të vërtetohet para zyrave lokale apo zyrave rajonale të KSHZ-së, e ku në një udhëzim tjetër të nënshkruhen së paku dy mbështetës. Por kjo për kryetarin e KSHZ-së, Boris Kondarko, ishte e papranueshme.

“Nuk mundet të zbatohet procedurë pa mos ekzistuar për numër të paraparë të nënshkrimeve që duhet mbledhur. Në rastin konkret, neni 63 është i pa zbatueshëm sepse lidhet me nenin 62 nga kodi, e i cili është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese”, u shpreh Boris Kondarko – Kryetar i KSHZ-së.

Ky vendim erdhi për shkak boshllëkut juridik që u shkaktua pasi Gjykata Kushtetuese në maj të këtij viti shfuqizoi dy nene nga Kodi Zgjedhor, e të cilat rregullonin numrin e nënshkrimeve që duhet mbledhur, qoftë për zgjedhje parlamentare apo lokale, kur dorëzues të listave janë kandidatë të pavarur apo iniciativa qytetare. Neni i shfuqizuar parashihte mbledhje të nënshkrimeve prej 1% nga numri i përgjithshëm i votuesve në komunën prej ku vjen kandidati.

Të shtunën Kuvendi dështoi të miratojë ndryshimet e Kodit Zgjedhor, edhe pse u thirr seancë e jashtëzakonshme dhe deputetët ndërprenë pushimet. Shumica parlamentare propozoi që kandidatët e pavarur të mbledhin 0,95% të nënshkrimeve ndërsa me kërkesë të “Së Majtës”, pragu i propozuar u ul në 0,5%. Por për shkak se këto ndryshime kërkojnë shumicë të badenterit, Fronti Evropian pamundësoi miratimin e tyre dhe nisma dështoi.

Pikërisht për shkak këtij boshllëku të kodit zgjedhor, iniciativat qytetare u detyruan të fillojnë proces për formimin e një partie politike “Bashkë të pavarur”, me qëllim që të shmangin pengesa eventuale që në fund të pengohen për të kandiduar.

Vendimi i tillë për mbledhje të vetëm dy nënshkrimeve, do të shkaktojë shumë telashe për Komisionin Shtetëror Zgjedhor, pasi nëse nga njëra anë lehtësohet procedura, nga ana tjetër shumë qytetarë do të duan thjeshtë të vendosin emrin e tyre në listë por duke mos bërë asnjë fushatë. Mund të ndodhë pastaj që kandidimi i shumë qytetarëve, të shkaktojë fletëvotime të gjata. Kjo do ta vononte dhe do ta vështirësonte procesin e votimit.

Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021, për kandidatë të pavarur votuan madje 56 mijë qytetarë, me çka këshilltarë të pavarur u zgjodhën në 33 komuna dhe në qytetin e Shkupit. Mbledhja e nënshkrimeve për të pavarurit, fillon nga nesër dhe do të zgjatë 15 ditë./ Alsat.mk