Struga Trim Lum, pas dy viteve kampione dhe paraqitjeve në arenën evropiane, këtë verë mbeti “duarbosh”, pa titull dhe pa dalje në Europë. Megjithatë në merkato ekipi strugan bëri disa ndryshime në stafin teknik dhe në përbërjen e skuadrës dhe sezonin e ri dëshirojnë ta nisin me ambicie të reja.
Kapiteni dhe lideri i ekipit, Bunjamin Shabani, ka thënë se Struga Trim Lum ka kapacitet dhe cilësi për të luftuar edhe këtë sezon për pozitat e larta.
“Kemi trajner të ri dhe disa futbollistë të rinj, por ambiciet dhe synimet janë të njëjta, Struga Trim Lum është e gatshme të luftojë për të qenë në krye të tabelës. Nuk do të jetë e lehtë, i respektojmë maksimalisht kundërshtarët, por gjithashtu besojmë në cilësitë tona. Do të shohim si do të zhvillohet sezoni, por ne jemi të gatshëm që nga fillimi të futemi me ritëm të plotë. Me ide të reja drejt fitoreve të reja”, ka thënë Bunjamin Shabani.
Struga pasditen e sotme e nis sezonin në elitë, duke u përballur me Makedonija Gjorçe Petrovin.
“Makedonija Gj.P. është tradicionalisht kundërshtar i vështirë për ne. I respektojmë plotësisht, janë rikthyer në Ligën e Parë, dhe menjëherë janë përforcuar me disa futbollistë cilësorë. E dimë që çdo fillim është i vështirë, por besoj se do të japim maksimumin dhe me ndihmën e tifozëve do të arrijmë të marrim tre pikët”, ka theksuar kapiteni Shabani.
