Qytetarët do të paguajnë tarifa më të ulëta bankare

Qytetarët do të paguajnë më lirë për shërbimet e përditshme bankare. Disa nga bankat më të mëdha në vend tashmë i kanë ulur tarifat për pagesat elektronike dhe mobile, si dhe për shërbimet në sportel.

Bëhet fjalë për pagesa përmes bankës mobile dhe elektronike kur dërguesi dhe marrësi janë klientë të së njëjtës bankë, për tërheqje të parave në sportel, pagesa me para në dorë, lëshim të certifikatave dhe kopjeve të dokumenteve.

Ulje ka edhe në kostot për transaksionet ndërmjet bankave të ndryshme, të cilat kryhen në kohë reale gjatë ditës.

“Bankat fillojnë gjithnjë e më shumë të ofrojnë pagesa falas që nisin përmes shërbimeve elektronike dhe mobile dhe që kryhen në sistemet e tyre interne, domethënë kur paguesi dhe marrësi kanë llogari në të njëjtën bankë, për çka më parë shumica prej tyre arkëtonin tarifa. Vërejmë korrigjim në ulje të nivelit të tarifave në një nga bankat, si për tërheqjen e parave në sportelet e bankës, ashtu edhe për shërbimet e tjera që lidhen me pagesat me para në dorë, kopjet e dokumentacionit dhe lëshimin e certifikatave”, tha Trajko Slavevski – guvernator i Bankës Popullore.

Slavevski theksoi se Banka Popullore do të nisë iniciativë për ndryshime në ligjin për llogaritë pagesore me funksione bazë. Vendimi ligjor parashikon që qytetarëve t’u lejohet përdorimi i kufirit të lejuar në llogarinë e pagesave, çka aktualisht nuk është e mundur, dhe që zakonisht u nevojitet qytetarëve. Qytetarët nuk do të jenë të detyruar të mbyllin llogaritë e tjera pagesore në denarë për të mundur të përdorin llogarinë e pagesave me funksione bazë.

“Propozojmë që çmimi i shërbimeve që do të mund të përdoren përmes llogarisë së pagesave me funksione bazë të lidhet me shumën e pagës minimale bruto në vend dhe të përcaktohet maksimumi në 0.1% të saj, pra në bazë të pagës minimale bruto aktuale për vitin 2025, kjo do të ishte 36 denarë në muaj. Për qytetarët që i përkasin grupit të përdoruesve ligjorë të të drejtave, domethënë kategorive të cenueshme, këto shërbime do të jenë plotësisht falas”, u shpreh Trajko Slavevski – guvernator i Bankës Popullore.

Guvernatori theksoi se Banka Popullore do të kërkojë edhe zgjerimin e paketës së shërbimeve të pagesave, ku disa prej tyre janë: Qytetarët të mund të kryejnë katër transaksione në muaj për tërheqje parash në ATM-të e bankave të tjera, me shumë të kufizuar prej 2,000 denarësh; mundësia që qytetarët të kryejnë pesë transferta elektronike ndërbankare; si dhe pako e përshtatur për mikro-tregtarët – kryesisht biznese familjare me burime të kufizuara, me qëllim nxitjen e përfshirjes financiare dhe digjitalizimin e pagesave./ Alsat.mk