Përplasje mes BDI-së dhe VLEN-it për thirrjet antishqiptare në Kumanovë

Përplasje mes BDI-së dhe koalicionit VLEN për thirrjet antishqiptare në sallën sportive të Kumanovës. Koalicioni VLEN thekson se funksionarët e partisë së Ali Ahmetit kurrë nuk kanë marrë përgjegjësi e as kanë dhënë dorëheqje kur shqiptarëve u ndodhën tragjeditë më të mëdha. “Nuk dhanë dorëheqje kur ndodhi rasti “Monstra”, dhe shqiptarët u akuzuan si terroristë pa prova; As kur ndodhi “Lagjja e Trimave”, ku 10 shqiptarë u vranë në një aksion të dyshimtë policor; As kur ndodhi rasti “Alfa”, ku shqiptarët u dënuan për një vrasje që edhe sot duket e montuar; As kur u vra mizorisht vogëlushi Almiri, ndërsa drejtësia e quajti “aksident trafiku” dhe BDI heshti; As kur u vra Harun Aliu, ish-luftëtar i UÇK-së, në rrethana të paqarta” thuhet në komunikatën e VLEN-it ku janë numëruar edhe një sërë rastesh tjera, duke theksuar se një parti që kurrë nuk ka ndjerë turp, nuk ka kërkuar falje dhe nuk ka marrë përgjegjësi për asnjërën nga këto tragjedi, nuk ka as moral dhe as të drejtë të flasë për të ardhmen e shqiptarëve.

Ndërkohë, BDI kërkon përgjegjësi dhe dorëheqje të menjëhershme të zëvendësministrit të Punëve të Brendshme Astrit Iseni, dhe zëvendësministres së Sportit Safije Sadiki Shaini. Ndaj akuzave të VLEN, thekson se BDI gjithmonë ka qenë e zëshme kur ka pasur ngjarje të tilla.

“Bashkimi Demokratik për Integrim gjithmonë ka dënuar ngjarje ose ngjarje të këtilla kur është bërë thirrje në bazë kombëtare dhe kështu, në këtë drejtim BDI gjithmonë ka qenë e zëshme dhe ka pasur reagime nga përfaqësues të Qeverisë, të cilat për fat të keq pas kësaj ngjarje nuk kemi kurrfarë reagimi nga asnjë funksionar qeveritar”, deklaroi Emir Sulejmani, anëtar i Kryesisë Qendrore.

Për çështjen, ka reaguar edhe Bekim Fazliu i Lëvizjes Arbëria, i cili me një video-material rikujton BDI-në se si kanë vepruar në pushtet derisa kishin 153 mijë vota, ndërsa shqiptarët sërish ishin siç thotë ai jetim. “Historia s’është për t’u harruar se ndryshe përsëritet. Piskamat e tyre sot janë për Soravi, jo për shqiptari”, shkruan Fazliu. /Alsat.mk