Koalicioni VLEN dhe Fronti Evropian (e ashtuquajtura Aleancën Kombëtare për Integrim) kanë pozicionuar kandidatët e tyre për komunat më strategjike. Dyja taborët kanë caktuar kandidatët për në Çair, Tetovë, Strugë, Kërçovë dhe Saraj.
Në Çair, zëvendëskryeministri i parë dhe lideri i Lëvizjes Demorkatike, Izet Mexhiti i rikthehet betejës për komunën të cilën e kishte udhëhequr tre mandate. Përballë do ketë ish bashkë-partiakun e tij, Bujar Osmani. Ky i fundit betejën e ka cilësuar referendum, ndërsa Mexhiti e ka vlerësuar si thirrje të qytetarëve të Çairit të cilën nuk mundet ta refuzoj.
Në Tetovë, kreu aktual Bilall Kasami si kandidat i VLEN do të ketë përballë një kandidat jo shumë të ekspozuar deri tani, nënkryetarin e BDI-së, Bajram Rexhepi. Fushata e këtij të fundit ka nisur në terren, me thirrjen për ta rimëkëmbur Tetovën, ndërsa Kasami kërkon edhe një mandat për t’ia rikthyer dinjitetin Tetovës dhe Tetovarëve.
Në Strugë koalicioni VLEN u distancua nga kandidati partiak, duke i dhënë mbështetje nëj kandidati të pavarur si Mendi Qyra, afarist dhe figurë e njohur për struganët. Ndërkohë nga krahu tjetër, Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës ka nominuar Arsim Dalipin për kandidat, duke mos hequr dorë kështu nga besimi që me Strugën duhet të udhëheq një mjek.
Në Kërçovë VLEN do të kandidon me Fatmir Limanin, ndërsa BDI është duke shqyrtuar akoma nëse në garë do të mbetet Fatmir Dehari, apo do të dalë me kandidat tjetër. Dehari së fundi është përballur me disa kallëzime penale për shpërdorime në komunë dhe punë të pandërgjegjshme. (Foto Fatmir Limani vs Fatmir Dehari)
Në Saraj beteja do të zhvillohet mes dy figurave të reja, Muhamed Elmazi nga VLEN dhe Blerant Ramadani nga AKI, përkatësisht Aleanca e Arben Taravarit. Dy kandidatët vijnë në garë me besimin që marrin nga liderët, ndërsa jashtë loje mbeti Blerim Bexheti i cili në mandatin e fundit u tërhoqe për t’u bërë deputet.
VLEN mbrëmë zyrtarizoi edhe kandidatët tjerë si: Fisnik Mela për Dibrën, Blerim Sejdiu për Zhelinën, Daut Beqiri për Haraçinën, Haqim Ramadani për Bërvenicën, Nexhmedin Sadiku për Likovën, Daut Memishi për Tearcën, Feti Abazi për Bogovinën, Blerim Islami për Dollnenin dhe Bashkim Bakiu për Qytetin e Shkupit. Në Gostivar shqyrtohet mundësia që të përkrahet kandidati i pavarur, Visar Ademi.
Ndërkohë Aleancat e ndara do të ketë edhe numër të ndryshëm të kandidatëve. Ziadin Sela ka siguruar tre kandidat: përvec Dalipit në Strugë, kandidat i Aleancës së Selës do të jetë edhe Ilirjan Fetahu në Dibër, Skender Isufi në Haraçinë. Ndërkohë aleanca e Taravarit, që si pjesë e VLEN kishte pretenduar 6 komuna, në AKI morri 4. Kandidat për Gostivarin do të jetë kreu aktual Valbon Limani, pasi Taravari nuk e gjeti guximin edhe për një garë. Përveç Blerant Ramadanit në Saraj, Taravari do të ketë për kandidat Isen Shabanin në Vrapçishtë dhe Nazim Taipin në Tearcë. Ky subjekt kishte pretenduar edhe Likovën, por nga BDI mësohet si i është kumtuar që në atë komunë edhe për një mandat do të dalë Erkan Arifi. Partitë akoma nuk janë deklaruar se si do të pozicionohen në Komunën e Studeniçanit.
Pas caktimit të kandidatëve vijon përpilimi i listave për këshilltarë. VLEN do të shkon me listë të përbashkët, ndërsa AKI duke përfshi edhe Taravarin brenda do të shkon me një listë edhe pse Taravari u shkëput nga VLEN me bindjen se partia e tij duhet të dalë me lista të veçanta për këshilltarë.
Shpallja e zgjedhjeve lokale pritët të bëhet në gjysmën e parë të gushtit, por duke respektuar afatet përfundimtare me qëllim mbarimin e procedurave për zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe kreut të Anti-korrupsionit./Alsat.mk
