Vllaznimi 1947 hap Akademinë e Futbollit në Strugë – Altin Lloga: Synimi ynë është Liga e Dytë!
• • •
Strugë – Klubi legjendar shqiptar KF Vllaznimi 1947 ka hapur zyrtarisht Akademinë e Futbollit, duke shënuar një hap domethënës drejt ringritjes së klubit më me histori në qytet. Aktivitetet në kuadër të akademisë do të nisin më 30 korrik 2025, në stadiumin e klubit në Strugë.
Në njoftimin zyrtar, theksohet se kjo nismë është themeli i një gjenerate të re që do të ecë paralelisht me ekipin e parë dhe do të ndërtojë të ardhmen e Vllaznimit.
Akademia do të mirëpresë fëmijët e lindur nga 2014 deri në 2019, me stërvitje të drejtuara nga trajnerë profesionistë e të përkushtuar, ku fokusi do të jetë tek zhvillimi teknik, fizik dhe disiplina e çdo lojtari.
Në krye të projektit është emëruar Altin Lloga, trajner përvojë në disa ekipe të njohura të vendit. Në një deklaratë për mediat, Lloga u shpreh se:
“Krahas akademisë, edhe ekipi i parë i Vllaznimit po përgatitet me përforcime serioze. Synimi ynë është ngjitja në Ligën e Dytë. Pavarësisht kushteve financiare, klubi ka vendosur të kërkojë me vendosmëri ringritjen.”
Regjistrimet për akademinë janë të hapura dhe interesimi nga prindërit dhe të rinjtë është i lartë.
