Dikush më shumë e dikush më pak, por shumica e komunave shqiptare që përfituan nga thirrja e parë e instrumentit të Qeverisë për investime kapitale, thonë se punimet në terren po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë. Sipas autoriteteve qeveritare mbi 40 për qind e projekteve nëpër të gjitha komunat tashmë kanë përfunduar në terren, ndërsa pjesa tjetër është në fazë realizimi.
Nga Komuna e Haraçinës njoftojnë se nga thirrja e parë, në terren janë realizuar rreth 90 për qind të projekteve.
“90% të projekteve nga thirrja e parë janë realizuar në teren, te thirrja e dytë aplikimet i dorëzuam me kohë, dhe pas gati 3 muaj shqyrtim të projekt-dokumetacioneve dje arritëm t’i nënshkruajmë,” thanë nga Komuna e Haraçinës.
Nga Komuna e Çairit thonë se nga gjithsej 5 projektet e miratuara kapitale të vitit të kaluar, 2 kanë përfunduar, ndërsa 3 janë në faze realizimi, sipas dinamikës së paraparë. Në thirrjen e dytë Çairi ka përfituar me 17 projekte, të cilat do të financohen pjesërisht ose tërësisht nga mjetet qendrore.
“Për vitin 2024, Komuna e Çairit ka pasur të miratuara gjithsej 5 projekte kapitale, të financuara nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Deri në këtë fazë, 2 prej tyre janë përfunduar me sukses, ndërsa 3 të tjerat janë në proces të realizimit, sipas dinamikës së paraparë,“ – Komuna e Çairit
Nga Komuna e Likovës thonë se nga 3 projektet e fituara nga thirrja e parë, një ka përfunduar tërësisht, ndërsa dy janë në proces e sipër. Në thirrjen e dytë, Likova ka lidhur marrëveshje me qeverinë për edhe 10 projekte të reja për infrastrukturë rrugore e ujore
Prej thirrjes së parë:
-Tereni i hapur sportiv në shfk,,5 Tetori,, f.Ropalcë është kryer
-Rregullimi i shtratit të lumit në f.Orizare, punimet janë në proces e sipër dhe
-Rekonstruimi i rrugës lokale Sllupçan-Orizare në proces e sipër.” – Komuna Likovës.
Sipas dinamikës së paraparë po zhvillohen edhe projektet në komunën e Tetovës, thotë numri një i kësaj komune, Bilall Kasami. Ai tha se me thirrjen e dytë Tetova do të mbështetet në 34 projekte, por meqë bëhet fjalë për blloqe rrugësh, apo dy objekte shkollash që ndodhen në lokacione të njëjta, e që konsiderohen si një projekt i vetëm, numri i projekteve reale është mbi 50.
“Për momentin projekti i furnizimit për ujë të pijshëm, pra i gypit kryesorë është në fazën fillestare, projekti i ujësjellësit për lagjen jashtë Vardarit është në fazën përfundimtare. Sa i përket ndërtimit të shkollës ende nuk ka filluar, pasi operatorët që kanë konkuruar kanë bërë ankesa, besoj se këto ditë do të përmbyllet procedura dhe afatet e ankesës, nga java e ardhshme besoj do të nisin punimet për fazën e parë të ndërtimit të 2 objekteve shkollore,” deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i Komunës së Tetovës.
Në thirrjen e parë, u financuan gjithsej 288 projekte. Ndërsa sipas të dhënave të Qeverisë, deri në 1 korrik të këtij viti, 281 projekte kanë nënshkruar marrëveshje, 146 janë futur në punë ose tashmë janë duke u realizuar në terren, 113 projekte kanë përfunduar plotësisht. Nga ato që janë në terren 25 janë në fazën përfundimtare, ndërsa për 6 projekte të tjera është në zhvillim procedura e prokurimit publik. /alsat.mk
