Ligji i ri, donatorët e organeve dhe personave që u është bërë transplant përjashtohen nga pagesat në autostrada

Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për rrugë publike, dispozita të cilat lirojnë nga pagesat rrugore personat të cilët dhurojnë organe ose i është bërë transplant i ndonjë organi truporë.

“Do të lirohen edhe ata që u janë transplantuar dhe dhuruar organe të trupit dhe indeve dhe ata që janë donatorë të organeve dhe indeve kështu që përveç kategorive të tjera të cilët nuk duhet të paguajnë harxhime rrugore, do të jenë edhe ata që janë donatorë të organeve dhe indeve, dhe ata të cilëve u është transplantuar organ apo ind”, tha Bojan Stojanovski , Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Risi ka edhe në mënyrën e pagesës nëpër pikëpagesa, respektivisht, në mënyrën e pagesës me M-TAG kartelë. Me ndryshimet ligjore, do të mundësohet që qytetarët pa dallim se cilin operator telefonik përdorin, të mund të paguajnë në formë pripejd ose postpejd. Mënyra e mbushjes dhe blerjes së M-TAG kartelave ka qenë vetëm nëpër pikëpagesat rrugore. Qëllimi është digjitalizimi i pikëpagesave me çka qytetarët do të mund të paguajnë edhe përmes internetit apo fakturave nëse bëhet fjalë për persona juridik. Nga janari e deri tani, 33,5% e veturave kalojnë me “M-kartelë” apo me “M-TAG”

“Sipas të dhënave nga sistemi ynë, numri i M-Tag pajisjeve të shitura shënon 44,208, ndërsa numri i kartelave M-Card të shitura shënon 216,744. Nga 01.01.2025 deri më 25.06.2025 me M-Card janë evidentuar 3,1 milion kalime apo 15,9% ndërsa me M-TAG 3,4 milion apo 17,4%. Gjithsej vetura që kanë kaluar në pikëpagesa me pagesë elektronike me pajisje apo kartelë shënon 33,5% nga numri i përgjithshëm i veturave që kanë kaluar në pikëpagesa”, thonë nga  Rrugë Shtetërore.

Me ndryshimet ligjore, nga tani e tutje shoferët nuk do ta kenë më për obligim që t’i ruajnë llogaritë fiskale në veturë gjatë gjithë rrugës, ashtu siç ishte deri tani, e që mund t’i kërkonte zyrtari policorë gjatë ndalimit. Me ndryshimet ligjore, do të definohen edhe rrugët komunale ku komunat do të kenë mundësi që nëpër zona dhe rrugë delikate ku ka frekuencë të fëmijëve si ato para shkollave, të mund të vendosin limite për shpejtësinë e lejuar të ngasjes së makinave./Alsat.mk