VIZITË DIPLOMATIKE NË MYFTININË E BFI-së STRUGË – TAKIM ME AMBASADORIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, SH.T. Z. DENION MEIDANI
Myftinia e BFI-së Strugë pati kënaqësinë të mirëpresë një vizitë të rëndësishme zyrtare nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup, Shkëlqesia e Tij z. Denion Meidani i shoqëruar nga z. Izmit Nura. Vizita u zhvillua në një atmosferë vëllazërore dhe institucionale, ku Ambasadori Meidani u prit me respekt dhe mikpritje nga Myftiu i Strugës, H. Adi ef. Murtishi, Sekretari i Myftinisë, H. Shefit ef. Ajredini, si dhe Operativa e Myftinisë së Strugës.
Gjatë takimit, u diskutuan tema të rëndësishme që prekin dimensionet fetare, kulturore dhe arsimore të komunitetit mysliman shqiptar në rajon, duke theksuar nevojën për bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet institucioneve fetare dhe përfaqësive diplomatike në funksion të forcimit të identitetit kombëtar dhe fetar.
Myftiu H. Adi ef. Murtishi falënderoi Ambasadorin Meidani për vizitën e tij të sinqertë dhe vëmendjen që i kushton zhvillimeve në trevat shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi, Myftiu i dhuroi Ambasadorit disa libra dhe botime të rëndësishme të Myftinisë së Strugës, të cilat pasqyrojnë punën dhe përkushtimin e institucionit në shërbim të fesë, dijes dhe bashkëjetesës.
Në vijim të vizitës, Myftiu e shoqëroi Ambasadorin në një prezantim të hapësirave të zyrave të Myftinisë, ku ai pati mundësinë të njihet nga afër me stafin, organizimin dhe veprimtarinë e brendshme të institucionit.
Kjo vizitë përbën një shembull të shkëlqyer të ndërlidhjes së institucioneve fetare dhe përfaqësive diplomatike, duke ndërtuar ura bashkëpunimi në frymën e respektit dhe zhvillimit të ndërsjellë.
Myftinia e BFI-së Strugë



