“Ato tashmë po dërgohen”, tha Trump, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në Bazën e Përbashkët Andrews në Maryland. “Ato po dërgohen nga Gjermania dhe më pas Gjermania po rimburson rezervat. Në të gjitha rastet, Shtetet e Bashkuara kompensohen plotësisht”, shtoi ai.
Deklarata vjen në mes të sulmeve në rritje ruse ndaj qyteteve ukrainase, duke e shtyrë Kievin të kërkojë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara. Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha të hënën se aleatët evropianë po diskutojnë dërgimin e më shumë se tre sistemeve Patriot në Ukrainë.
Trump shpjegoi se këto dërgesa janë pjesë e një marrëveshjeje të re sipas së cilës anëtarët e NATO-s dhe BE-së blejnë armë amerikane, dërgojnë disa në Ukrainë dhe më pas i rimbushin rezervat e tyre me mbështetjen e Uashingtonit. “Ne gjithmonë i marrim paratë tona mbrapsht, plotësisht. Në disa raste, shtetet anëtare të BE-së na i kthejnë paratë direkt”, theksoi Trump.
Dërgesat e reja të armëve mbërrijnë vetëm dy ditë pasi Trump lëshoi një ultimatum ndaj Moskës, duke paralajmëruar se SHBA-të do të vendosnin tarifa “të rënda” nëse Rusia nuk binte dakord për një marrëveshje paqeje brenda 50 ditësh.
Kremlini më parë i quajti tarifat e propozuara “serioze”, duke thënë se Moskës do t’i duhej kohë për të analizuar mesazhin nga Uashingtoni.
Presidenti amerikan tha gjithashtu se nuk kishte folur me presidentin rus Vladimir Putin që kur SHBA-të vendosën sanksione të reja kundër Rusisë më 14 korrik.
