NJË TRADITË, NJË NOSTALGJI!
Gjeneratat relativisht të moshuar e kujtojnë traditën kur amviset, i lanin teshat në lumin Drin i zi! Gratë nga të gjitha lagjet e qytetit, në të dy anët e lumit, i lanin rrobat e tyre në ditët e nxehta të verës. Pjesa e lumit ku ndodhet diga e dytë, pranë spitalit të qytetit, ishte vendi më tërheqës për larjen e prodhimeve të tekstilit, rrobat, çarçafë, batanije, qilim, plaçkat e shtëpisë . Skajet e lumit ishin të shtruara me beton. Kishte hapësirë si për larjen, ashtu edhe për tharjen e rrobave. Nënat lanin, ndërsa fëmijët shijonin notin. Ishte plazhi i tyre. Fëmijët më të shkathët hidheshin nga ura e digës ku uji ishte i bardhë me shkumë për shkak të rrjedhës së shpejtë. Fëmijët më pak të guximshëm nuk ndaheshin nga nënat e tyre. Nuk kishte ndarje etnike. Gratë ishin nga të gjitha grupet etnike: maqedonase, shqiptare, turke, egjiptiane, rome etj. Gjatë larjes dhe shpëlarjes zgjidheshin edhe temat e bisedës kush është martuar, kush është fejuar, kush ka bër tradhti bashkëshortore, i këmbenin recetat për gjellë dhe përvojat e gatimit etj. Përmes bisadave lidheshin miqësit dhe ftesat për ta vazhduar shoqërinë përmes kafe muabeteve në shtëpi! Në bregun e lumit zhvilloheshim biseda më të ëmbëla. Çdo grua tregonte historinë e saj. Aty ishte vendi ku amviset dilnin edhe për të pushuar edhe ti larë teshat e shtëpisë! Jeta ishte shumë idilike (paqësore), plot kënaqësi. Gratë ishin të fiksuara pas pastërtisë. Mirëkuptimi i bashkonte njerëzit. Jo interesi. Urrejtja etnike ishte e paimagjinueshme. Miqësia ishte një ideal për të gjithë. Vendi ku gratë dikur lanin rrobat tani është i ndyrë dhe i ngjan një kënete! Në jetë, gjithçka kalon, gëzimi, trishtimi, dashuria dhe pasuria…! Vetëm kujtimet e mira mbeten si në memorien indivduale ashtu edhe në atë kolektive!
