Nga Struga në skenat botërore, Xhevat Limani për Portalb: Aktori është opozitë e pushtetit dhe e pushtetarëve
Në historinë e teatrit shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë, Xhevat Limani është një nga emrat më të spikatur të skenës shqiptare, me një karrierë të gjatë dhe të pasur në teatër, film dhe letërsi. Me një përkushtim të rrallë ndaj artit dhe identitetit kombëtar, Limani ka interpretuar qindra role, ka realizuar dhjetëra projekte artistike dhe ka përfaqësuar denjësisht kulturën shqiptare në shumë vende të botës. Në këtë intervistë për Portalb mk, ai ndan kujtime, reflektime dhe përvoja nga rrugëtimi i tij artistik, që nga ditët e para në teatër e deri te themelimi i Teatrit Shqiptar në Amerikë.
Portalb.mk: Keni studiuar aktrimin dhe letërsinë. Diplomuat dhe u kthyet në Teatrin Shqiptar në Shkup, si aktor i parë profesionist ndër shqiptarët e Maqedonisë, na tregoni më gjerësisht për këtë rrugëtim tuajin?
Xhevat Limani: Në Prishtinë studjova Aktrimin dhe Letërsinë. Diplomova në klasën e Faruk Begollit. Një pedagog i shkëlqyer dhe aktor filmi. Letërsinë e mora për t’i dëshmuar Babit tim aftësinë time. Ai në fillim nuk më mbështeti, duke aluduar se unë duhej të studjoja medicinë apo drejtësi. Por, unë nuk i doja këto fakultete. Ëndërrimi im mund të realizohej vetëm përmes artit dhe letërsisë. Në aktrim ka diçka që të shenjtëron. Përballja me publikun. Vetëm ti, lartmadhëri prej aktori dhe publiku. Të gjithë presin sy e veshë, mendjehapur dhe zemërkurreshtarë.
Të thuash të vërtetën e besuar të protagonistit, duke bërë shpirtin operacion pa anestezi. Dhe kur mbetesh vetëm përballë vdekjes, qoftë ajo imagjinare, artistike kur dritat fiken ngadalë paralel dorëzimit të shpirtit trupi bie ngadalë mes ndjenjash makabre. Në terr shpërthenjnë eufori duartrokitjesh, ndërsa ti kufoma e gjallë ngjitesh në Harkun e Triumfit. Gjuha dhe letërsia e ndihmon aktorin në zbatimin praktik të fonetikës (tingujt, bashkëtingujt dhe ngjyrimet emocionale). Morfologjia ndihmon në formësimin e mendimeve përmes kategorive të ndryshme, emrat, mbiemrat, përemrat, foljet, lakimet dhe zgjedhimet etj. Sintaksa e ndihmon aktorin në thjeshtësimin e komplicitetit mendimor. Gjersa stilistika, tropet dhe figurat stilistike e armatosin aktorin të ballafaqohet guximshëm me botën kompleksive të personazheve. Letërsia i ndihmon krijuesit për të notuar bindshëm lumenjve, liqeneve, detërave dhe oqeaneve të krijimtarisë popullore dhe autoriale.
Në 1974 pas diplomimit në aktrim desha të vij në SHBA, por u refuzova për shkak të shërbimit ushtarak. Atë vit punova si profesor i gjuhës dhe letërsisë në gjimnazin e Strugës. Në ndërkohë me gjimnazistë bëra shfaqjen: Duke pritur Godonë të Semjuel Beketit. Në garat e teatrove alternativë të Republikës, prej gjashtë shpërblimeve të Festivalit që mbahej në Veles, pesë i fitova unë me projektin tim teatror. Ky sukses padyshim, motivoi drejtorin e përgjithshëm të Teatrit në Shkup që asokohe thirrej Teatri i Kombësive z. Xhevdet Mustafa që të më ftojë në teatër. Në gusht të 1975 mbylla vitin shkollor me maturat e nxënësve dhe në shtator shkova në Teatrin e Shkupit. Atje më pritën mirë. Atëherë kuptova se unë paskësh qenë aktori i parë profesionist ndër shqiptarët nën Maqedoni.
Portalb.mk: Cilat ishin komentet e kolegëve tuaj për vlerat artistike që kishit?
Xhevat Limani: Ishte një gjeneratë e zellshme amatorësh që me përvojën e tyre kishin arritur nivel professional në shkallë të duhur. U formua një Ansambël homogjen artistik që po hapte një faqe të re të teatrit shqiptar. Nga një teatër formal politik po shndërroheshim në institucion të respektueshëm përtej kufijve lokalë dhe republikanë. Ne si gjakim i ri deshëm të dëshmonim se mund ta mbajmë diellin me një dorë, sado që rrezatonte plagë dhe sakrifica. Ishte një ngjitje sizifjane dhe tepër e vështirë, veçmas kur filluam të bëjmë repertor të dramës kombëtare. Natyrisht se i prija kësaj valle të rëndë ndihmuar nga kolegët dhe personalitetet jashtë teatrit por që frymonin brenda teatrit si Teki Dervishi, Beqir Musliu, Resul Shabani, Xhabir Ahmeti, Nexhat Mustafa etj.

Portalb.mk: Keni luajtur 100 projekte dhe mbi shtatë mijë shfaqje, në mbi 50 shtete të botës, figura të shquara shqiptare e botërore. Cili motiv ju bënë juve që çdo personazh ta paraqisni me vërtetësi dhe të besuar te publiku, duke dhënë zemrën në skenë?
Xhevat Limani: Beteja me çdo personazh fillon nga zero. Hulumtimi dhe eksplorimi i personazhit është proces i vështirë. Ku të gërmosh vallë? Në cilin vend? Në ç’periudhë historike? Sa informata ke në dispozicion nga kronikat, historitë, arkivat, dokumentet, gojëdhënat që nuk t’i ofron teksti dramatik? A të mjaftojnë të dhënat dhe kërkesat regjisoiale dhe të autorit. Natyrisht se jo. Pasi t’i grumbullosh të dhënat vë në zbatim kriterin selektues, imagjinatën krijuese dhe masën e shijes për t’a shpirtësuar personazhin, për t’a rritur, ngritur e ringritur në lartësinë e duhur ekspozicionale.
Komunikimi kolektiv, dialogjet me partnerët dhe vendimet Individuale në konceptin e tërësisë regjizoriale të veçojnë nga numrorët pjesëmarrës dhe të promovojnë si solist. Ky është qëllimi krijues. Të fluturosh mbi turmat që mbyten tek zhurmat. Lartmadhëria e tij Artisti është vetë profecia dhe Idhulli. Artisti ka nevojë të dëshmojë para kombit dhe para zotit indiuvidualitetin e tij prej krijuesi. Dhe sa më shumë të duatrokitet aq më tepër rrezikohet nga pushtetarët vdekatarë që abuzojnë me lirinë e fjalës, mendimit, veprimit dhe ekzekutimit hakmarrës. Gjersa artisti pranon me vetëdije të vdesë në skenë krimbozuzarët trillojnë dhe përgatisin kurthe hakmarrëse duke mos duruar famën e krijesave hyjnore artistëve të cilët njohin vetëm pushtetin e Imagjinatës. Artisti është opozitë e pushtetit dhe pushtetarëve të cilët natyrisht janë të lindshëm dhe të vdekshëm. Mbulon balta balorët dhe pluhuri i harresës lëshon vellon funebre të çbërjes.
Sa më i besueshëm të jesh në skenë aq më shpejtë ç’bëhen zuzarët vdekatarë që nuk e njohin dhembjen dhe skamjen. Korrupti dhe ligësia e tyre janë kanceroze për shoqërinë dhe civilizimin. Kjo kohë tejkalon kohërat e rrufeve, murtajës, kolerës, luftërave dhe krimeve të rënda. Njerëzimi gjendet në udhëkryq; drejt vazhdimësisë apo në tartarin e ç’bërjes, asgjësimit, katastrofës-kataklizmës.

Portalb.mk: Nëse rolet tuaja do i klasifikoje si në një paradë, cilin prej tyre do të doje të interpretoje po me atë dëshirë si dikur?
Xhevat Limani: Kam shumë mall dhe plagë për rolet që janë strukurë në vitrinat e kritikës, librave, inçizimeve dhe xhirimeve. Do të kisha dashur?! E ardhme që përplaset me të shkuarën. Koha s’kthehet se mosha është pjesë e dialektikës që prin drejt misterit që na pret dikur. Ndjej dhe përmallem me Lulashin te drama “GOF” e Anton Pashkut, Hamidi i Verdhë tek “Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi të Teki Dervishit, Klaudi te Hamleti i Shekspirit, Milosi” tek “Varrezë automobilash të Fernando Arrabalit, Mbreti Genti i Sherif Delvinës, Kreoni tek Antigona e Sofokliut, Argani” tek “I sëmuri për mend”, i Molierit, Profesor Lako dhe Laokonti tek Përbindshi i Ismail Kadaresë, Dr. Adhumudhi tek Pas vdekjes i Kristo Floqit, Babazoti tek Anatema e Xhevat Limanit, Eminenca tek Hijesina e Nebi Islamit dhe shumë personazhe para të cilëve përulem me respekt, dinjitet e plotë dhembje kujtimesh.Zjarrin dhe flakën e mbajë të ndezur përmes kryepersonazhit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Për mision dhe vazhdimësi duke trokitur bindshëm në përjetësi.
Portalb.mk: Në trokun e shumë viteve si aktor i skenës, njiheni si skenaristi dhe regjisori i të parit film shqiptar nën Maqedoni, “Fatprerët”, sa është mirëpritur ky film?
Xhevat Limani: “Fatprerët” është filmi i parë i metrazhit të gjatë në krijimtarinë e shqipatrve nën Maqedoni. E kam punuar sipas motiveve dhe brumit të romanit omonim të shkrimtarit Murat Isaku. Filmi është mirëpritur nga publiku dhe artdashësit. Veçmas në Festivalin e Filmit shqiptar në Tiranë. Drejtori i Festivalit dhe regjisori Kristaq Dhamo si dhe kolegët e tij Esat Musliu, Mevlan Shanaj, Vlladimir Prifti, Natasha Lako, Bujar Asqeriu etj, u shprehën me shumë pietet artistik.
Portalb.mk: Ndonëse keni gdhendur me mjeshtëri rolin e Lulashit, Adhamudhit, flisni me shumë pasion për rolin e mbretit te tragjedia “Antigona”. Përse e vlerësoni disi më shumë këtë rol? Pse keni fituar si Aktori më i mirë i Festivalit “Flaka e Janarit” në Gjilan apo pse ka pasur më tepër shfaqje, pra afërsisht 500 repriza ose ka ndonjë sekret tjetër?
Xhevat Limani: Roli i Lulashit tek GOF i Anton Pashkut në regji të Ahmet Jakupit ishte kthesë për dialektikën time teatrore. Në festivalin e lojërave eksperimentale në Sarajevë mora shumë lëvdata nga kritikët e asaj kohe, veçmas nga kritiku dhe selektori i Festivalit Dalibor Foretiç, i cili në tryezën e rrumbullakët deklaroi guximshëm. E solla këtë shfaqje në Festival që artdashësit jugosllav të njihen me energjinë, gjakimin, mikroaktrimin dhe një teknikë të paparë të të folurit skenik të aktorit më të veçantë Xhevat Limani. Mbajeni mend këtë emër! Ishte viti 1979, kur shqiptarët nuk shiheshin me sy të mire skenave të Ish-Jugosllavisë.
Rolin e Adhamudhit e kam krijuar më tepër si një provokim artistik ndryshe nga ish kolegë artistë në Shqipëri, duke implementuar absurditetin logjik, disharmoninë e situatave imagjinare si dhe pozicionin e demagogut dhe hipokritit në ambientin parapsikologjik. Loja disi ndryshe larg formave stereotipa nga të cilat vuante dhe ende vuan aktrimi shqiptar e bënë këtë personazh të mbahet mend. Ky është edhe qëllimi i krijimit, të mbahen mend rolet dhe veprat.
Gjersa rolin e mbretit Kreon e dua edhe për shkak të atyre gati 500 reprizave, se teatri që nuk luhet, apo teatri pa publik është i vdekur. Kreoni ishte roli që nuk ia zinja dot fillin. Një mbrëmje vonë, rastësisht po shihja një film dokumentarë të Luanit në savanë. Më la shumë përshtypje raporti i luanit mbret në savanë. Mënyra e të vërejturit, përceptimit, mbajtja e kokës, rrotullimi i syve, ecja e dinjitetshme, reagimi i shpejtë gjatë sulmit mbi viktimën dhe shumë detaje tjera që kanë të bëjnë me instiktin e zotërimit të hapsirës risollën në bindjen time krijuese një konstrukt modelues të cilin, natyrisht gjatë provave do ta qëndisja me detaje që i ka hak personazhi. Shfaqja u pëlqye mu për shkak kreacionit të veçantë të figurës së mbretit Kreon. Kritika u shpreh me superlative dhe natyrisht se nuk munguan as vlerësimet e jurive nëpër Festivale. Në Flakën e Janarit u shpalla edhe si Aktori më i mirë i Festivalit pikërisht me rolin e mbretit Kreon. Edhe rolet tjera të Antigonës dhe figurave tjera u ndërtuan dhe harmonizuan me mjeshtri krijuese që ngritnin cilësinë dhe tensionet emocionale të shfaqjes.
Portalb.mk: Jeni shprehur se në teatrin e Shkupit, u brumosët, u lartësuat si aktor, madje në këtë strehë jeni nderuar me tituj e çmime të ndryshme, duke mos harruar kurrsesi suksesin e trupës tuaj të arritur në vitin 1992, në Festivalin Botëror të Teatrove zhvilluar në Gjermani. Përse e veçoni këtë eveniment?
Xhevat Limani: Arsyeja është konkrete dhe tepër afirmative. Drama shqiptare pati projekt të arrirë me cilësi të larta skenike. Tekstin e zgjedhur dramatik sipas prozës së shkrimtarit kroat Nikolla Shop e vuri në skenë regjisori që mbretëronte skenave evropiane kroati Branko Brezovec. Ishte një shfaqje e paparë që në kuadër të selektimit brenda një periudhe dyvjeçare sfidoi gati të gjitha trupat e teatrit jugosllav dhe u gjend në finale e madhe në Essen të Gjermanisë ku merrnin pjesë 32 trupa teatrore nga tërë bota. Në festivalin teatror ”Der Welt theater”, triumfuam ne, Teatri shqiptar nga Shkupi, Teater de soleil nga Parisi dhe Teatri Kabuki nga Tokio. Ishte vërtet një triumf i madh i Teatrit shqiptar në përgjithësi. Sukses ky që nuk e ka arritur asnjë teatër shqiptar e as ish-jugosllav.

Foto nga arkivi personal i aktorit Xhevat Limani. Foto: Xhevat Limani
Portalb.mk: Jeni vlerësuar me çmime e medalje të ndryshme si aktor, regjisor dhe skenarist. Ç’përbëjnë për ju këto trofe, të fituara në skenat shqiptare dhe vende të tjera?
Xhevat Limani: Artisti është një personalitet poliedrik. Unë pikësëpari jam aktor. Me regjisurë jam marrë paralel si dhe me aktrimin. Në teatrin shqiptar në Shkup ushtroja shpesh detyrën e regjisorit, i pakënaqur nga konceptet e ca regjisorëve joshqiptarë dhe shqipfolësa eminent-ca, të cilët vinin e shtronin platforma antishqiptare në veprat shqiptare. Dhe nga kritikë oligarkë lavdëroheshin e hymnizoheshin vetëm e vetëm për t’a përbaltur regjisurën shqiptare. Dhe erdh një kohë që këta kodoshër regrutoheshin në Prishtinë e Tiranë dhe proklamoheshin si shpëtimtarë të regjisurës shqiptare.
Nëpër festivale të ndryshme me paratë sorosjane blinin shpërblime dhe diktonin tregun artistik me dimension dhe mision politik. Regjisura ime kish dhe ka vulën e sistemit të të menduarit shqip e shqipërisht. E njejta gjë më nxiti edhe për skenarin si gjini e palëvruar sa duhet meqë nuk kishim asnjë Institucion ku do të realizonim veprat. Në fillim u mora me skenarë dokumentarë e më pas në Redaksinë e Programit shqip pranë Televizionit në Shkup, lëvrova me mjaft sukses për here të parë zhanrin e telepoemës, bazuar kryesisht në perlat poetike shqiptare. Më vonë bëra skenarin e filmit të parë artistik ndër shqiptarët nën Maqedoni {Fatprerët/ sipas romanit omonim të Murat Isakut.
E them me gojën plotë dhe botërisht se të gjitha shpërblimet e fituara në këto fusha kanë qenë fryt i punës sime titanike si Institucioni Xhevat Limani. Unë s’kam pritur asnjëherë nga shteti, të cilin e kishim simbol të së keqes, ligësisë, diskriminimit dhe formave të rafinuara të linçit të kulturës dhe artit shqiptar. Trofetë e mij janë relike që dëshmojnë betejat e mija në luftën e pambaruar. Kam humbur shumë privilegje shtetërore, por jam krenar që mbaj ndezur flakën Prometejane të Shqipërizmës. Unë kam Triumfuar mbi shijen e keqe siç do të thoshte Teki Dervishi dhe mbeta në harkun e Triumfit duke dëshmuar shqipërisht para kombit e atdheut.
Portalb.mk: Njiheni për skalitjen mjeshtërore artistike, ndaj figurës të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, shfaqur me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ku së bashku me 100 burra struganë, ju përshkuat në këmbë, tre ditë rrugën nga Struga në Vlorë. Si e kujtoni këtë moment historik?
Xhevat Limani: Ato çaste krenarie i përkasin tanimë historisë. Iniciativa u përket atdhetarëve struganë si Agim Dauti dhe Ajrush Miftari. Ata më lutën mua të qëndrojë në ballë të aktivitetit të veçantë kombëtar. Prezent ishte dhe miku im Adonis Filipi, regjisor i cili u entuzjazmua nga ideja që me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, 100 struganë, burra dhe gra, djem e vajza të marshonin nga qyteti i Strugës për në Vlorën historike. Punuam bashkërisht mbi katër muaj një grup i mirë atdhetarësh të kulluar. Ftuam shumë personalitete që luhasin kot flamurin e atdhetarizmës, por ata nuk na u përgjigjën. Arsyetimet janë të tepërta për mospjesmarrje në atë udhëtim të shekullit, me ç’rast do të rikujtonim 8 struganët pjesëmarrës në Aktin e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, katër prej tyre firmëtarë të Aktit të Shpalljes së Pavarësisë.
Ky numër dinjitoz na motivoi edhe më tepër që ne pasardhësit e Motit të Madh të ecnim gjurmëve të Rilindasve tanë dhe të ndjeheshim të barabartë me të gjithë të zgjedhurit e tjerë në këtë ngjarje të madhe historike, sado që edhe pas 100 vitesh Ilirida e Shqipërisë Lindore ende vuan e shkëputur nga Trungu i gjeografisë kombëtare. Unë u vesha me kostumin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe u përkujdesëm që të bëjnë rrugën bashkë edhe Adem Jashari duke e shoqëruar dhe mbrojtur plakun e urtë Ismail Qemali, të cilin e hipëm në një qerre të dekoruar me simbole kombëtare autoktone. Ishte një udhëtim plotë peripeci, lodhje dhe kënaqësi e ndjenjës së Triumfit që ne bijtë e flamurit me Shkabë kujtonim nënën Shqipëri bashkë me mendjendriturin babë, Ismail Qemalin. Pati përjetime të bukura dhe dramatike. Ne qëndruam në nivel të Misionit dhe nuk u përulëm para lakejve, mercenarëve dhe argatëve profiterë. Detajet tjera mund t’i gjeni te romani im ”Artisti pa Atdhe”.

Portalb.mk: Cili ishte motivi i shtegëtimit tuaj në Amerikë. Si u ndiet në ato çaste largimi, kur një pjesë të shpirtit tuaj e latë pas?
Xhevat Limani: Pas atentatit të 22 marsit 2002 u detyrova dhunshëm të aterojë në SHBA, për të shpëtuar veten dhe familjen nga kriminelët, mercenarët dhe tradhtarët të ndërsyer nga ca laro e balo që lëpinin kockat e policisë dhe pushtetit. Mora vendim me shumë dhembje dhe insistim të disa miqëve dhe përfaqsues të Ambasadës Amerikane. Kurrë s’ma merrte mendja se do ta lëshoja teatrin, atë tempull ku kisha investuar tërë qenien time krijuese dhe vepruese. Prej Shkupi në New York, përmes Vjenës ishte një fluturim i gjatë mbi fole qyqesh e qyqarësh, korbash e laraskash, konesh e zagarësh shpirtmercenarësh, bukshkalësh e tradhtarësh të cilët ngritën dorë publikisht për të linçuar një artist.
Prijësat e rekruatuar që nuk patën kurrë kod moral shëronin komplekset e tyre duke eliminuar zërin dhe shpirtin kryengritës të Xhevat Limanit që po kthehej në një tribun absolut. Xhelozia, smira, urrejtja, tradhtia dhe ligësia të tjera kaluronin Iliridës së mjerë. Proceseve u duhej zënë fryma nga shërbetorë besnik të pushtetit, të cilët jo rrallëherë trumpetoheshin si liderë dhe shpëtimtarë. Mjerë ne!
Të shpallen shpëtimtarë ca kalemxhinjë të rafinuar nga përgaditjet nëpër Beligrad e Prishtinë, nën tutelën e liberalizmit jugosllav do të thotë që robërisë sonë po i vazhdohej mandati. Policia vriste shqiptarë, ata proklamonin oazën e paqes. Ushtria bashkë me policinë u shpalli luftë shqiptarëve. Ata rrinin në qeveri dhe kërcënonin luftëtarët se do t’i pastrojnë hesapet me ata banditë që po prishin rendin në Oazën e Paqes – IRJM-së. Dhe përsëri Tirana e Prishtina nxitoi t’i marrë në mbrojtje sa edhe ti rehabilitojë këta metuzalemë politikë. Bile pa u skuqur njërin prej tyre e shpallin kryepolitikan të kalibrit ekstraordiner, profetik. Nxituan të emërtojnë edhe rrugë. Hipokrizi e paprecedentë. A ka burrë nëne të tregojë veprat e mëdha të këtij kalemxhiu anadollak. Intervistat e porosituar me pagesa të majme nuk llogariten vepra. Vetë fakti që shqiptarët nën Maqedoni vazhdojnë me problemet elementare për ta shmangur skllavërinë flet qartë se atje s’kish fare vizionar, e as politikan të madh.
Portalb.mk: Keni krijuar Teatrin Ahqiptar në Amerikë, a ishte ky një hap i guximshëm dhe sakrifikues i juaj apo kishit dhe mbështetje nga artistë të tjerë? Si e vlerësoni punën dhe talentin, përkushtimin e artistëve të kësaj trupe?
Xhevat Limani: Teatri shqiptar në Amerikë (Albanian Theater in America), është institucioni i parë teatror ndër shqiptarët e Amerikës. E themelova vetë, pa ndihmën e asnjë tjetri shqiptar. Më ndihmoi vetëm aktorja angleze Vanesa Redgrave me të cilën isha njohur gjatë luftës së Kosovës. Miqësia ime vazhdoi edhe në SHBA me aktoren e madhe dhe njëkohësisht mike të shqiptarëve. Vanesa për bindjen time është një Edith Durham i shekullit tonë. Ajo ka lindur të jetë Artiste e madhe, njeri i mirë dhe humaniste e rrallë.
Bile një pjesë e madhe e shqiptarëve kuazipatriotë, por gjithsesi punëtorë të ndershëm, më kundërshtuan me paragjykimin se kur Noli e Konica nuk kanë bërë teatër, kush na qenke ti të na bësh. Pa dashur të fyeja personalitetin e Konicës dhe të Nolit, prej të cilëve kam pasur ç’të mësoj, deklarova bindshëm dhe shqipërisht se as Noli e as Konica nuk dinë për teatër, nuk kanë pasur përgatitje profesionale, as talentin e dhuntinë e Xhevat Limanit. Unë jam Institucioni Xhevat Limani dhe vazhdoj misionin tim. Bëra premierën e parë Anatema, një teksti im autorial me tre personazhe të /Babazoti, Djalli dhe Engjëllina. Ish kjo një histori dramatike ku në bosht të veprimit sillej e pështillej historia shqiptare përtej dhe këtej dymijëvjeçarit tragjik Pellasgo-Ilirik-Arbëror-Shqiptar. Në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë ngrita projektin Unë Adem Jashari shkruar nga Lebit Murtishi dhe luajtur bindshëm nga Pajazit Murtishi, një pasionant i rrallë teatror. Deri tani kam punuar mbi 100 premiera. Janë luajtur mbi 200 herë nëpër SHBA-së dhe Evropë. Janë mirëpritur me ovacione të rrallëpara e përjetuara kurrë më parë. Kjo është katarza ime profesionale dhe jetësore.
Artistët e trupës kanë status me projekte. Luajnë derisa shfaqja mbijeton. Selektimin e bëj vetë. Nuk marrë numra kot së koti që mund të ma prishin imazhin e teatrit të mirëfilltë. Nuk mbaj audicione formale. Aktorët i zgjedh duke i njohur krijimet e tyre. Bëj takime me ata. Flas konkretisht dhe ua shtroj ofertat. Me shumicën merremi vesh lehtë. Ndërsa me një kategori narcisoidësh, aktorë fejsbuku ndahem shoqërisht, pasi të pimë kafenë. Unë mbaj llogari që në tetarin tim të ketë përparësi drama kombëtare. Të luajnë aktorë shqiptarë me krijues të spikatur shqiptarë. Dhe nuk dëshiroj të humb kohë me improvizatorë dhe eksperimentues që shëmtojnë çdo gjë në skenë.
Portalb.mk: Cili është mesazhi i juaj për gjithë lexuesit tanë?
Xhevat Limani: Aktori është opozitë e pushtetit dhe e pushtetarëve. Ai ka kryepushtetin e tij. Imagjinatën krijuese. Dhe kjo mjafton.
