Izraeli dhe Irani nuk ndalin sulmet mes vete, numri i viktimave ka mbërritur në rreth 300 

Në 4 ditë shkëmbim raketash dhe bombardimesh mes Iranit dhe Izraelit, rreth 300 persona kanë humbur jetën dhe mijëra të tjerë janë plagosur. Irani numëron mbi 220 viktima, ndërsa në Izrael jetën e kanë humbur dhjetëra persona.  Përderisa Izraeli thotë se ka arritur superioritet ajror mbi Iranin dhe po sulmon kryesisht me avionë luftarake, Irani po e godet Izraelin me raketa balistike, raketa hipersonike dhe dronë. Përkundër mbrojtjes ajrore të Izraelit, të përbëra nga 4 shtresa, shumë prej raketave të Iranit kanë depërtuar dhe kanë goditur caqe në kryeqytetin Tel Aviv, në qytetin Haifa dhe vende të tjera thellë në territorin izraelit.  Sirenat dhe urdhrat e ushtrisë izraelite për evakuimin e banorëve nëpër strehimore janë aktive pothuajse pandërprerë.

Kryeministri Izraelit, Benjamin Netanjahu ka kërkuar përfshirjen e SHBA-së që nga fillimi i konfliktit. Izraeli kërkon ndihmë amerikane që t’i bombardojë laboratorët nukleare të Iranit të fortifikuara thellë nën tokë.  Presidenti amerikan, Donald Tramp, mbrëmë e dha sinjalin e parë se SHBA mund të përfshihet, duke urdhëruar evakuimin e 10 milion civilëve nga Teherani. Gjë që sot ndikoi në evakuimin e menjëhershëm të kryeqytetit iranian Teheran.

Radhë të gjata mund të shiheshin në stacionet e benzinës dhe trafiku ishte i madh në rrugët që dilnin nga qyteti.

Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, gjatë ditës së sotme tha se nuk kërkon armëpushim, po diçka më të mirë se armëpushimi.

“Një fund. Një fund i vërtetë. Jo një armëpushim. Një fund. Ose heqja dorë plotësisht, edhe kjo është në rregull. Ne kemi njerëz të shkëlqyer që dinë si të mbrojnë veten… Oh, ne do të sulmojmë shumë ashpër nëse ata u bëjnë diçka njerëzve tanë. Ne do të sulmojmë shumë ashpër, pastaj dorezat hiqen shumë bukur… Unë mendoj se ata dinë të mos i prekin trupat tona”, deklaroi Donald Tramp, President i SHBA-së.

Ushtria iraniane ka njoftuar se gjatë sulmeve me raketa mbi Izraelin, kanë qëlluar një qendër të inteligjencës ushtarake dhe qendër të planifikimit operativ të Mosadit.

Ndërsa paraprakisht mediat izraelite përmendën se është qëlluar një “cak i ndjeshëm”, term i cili zakonisht nënkupton një qëllim strategjik ose luftarak. Izraeli njofton se gjatë operacionit të fundit, kanë eliminuar shefin e sapo zgjedhur të shtabit të luftës në Iran.

“Arritjet e jashtëzakonshme të Izraelit në Operacionin “Luanët në Ngritje” vazhdojnë të grumbullohen. Këtë mëngjes, u informuam se forcat tona eliminuan shefin e shtabit të luftës iranian, Ali Shadmani, pasi paraardhësi i tij u eliminua në fazat e para të operacionit”, tha Gideon Saar, Ministri i Jashtëm izraelit.

Irani është hakmarrë me raketa dhe dronë që kur Izraeli filloi një fushatë ajrore të papritur kundër kundërshtarit të tij të hershëm të premten. Sulmi gjithëpërfshirës i Izraelit ka synuar udhëheqësit më të lartë ushtarakë të Iranit, shkencëtarët bërthamorë, vendet e pasurimit të uraniumit dhe programin e raketave balistike. /Alsat.mk