Largimet e kuadrove të kualifikuara nga radhët e policisë po bëhen gjithnjë e më shqetësuese. Rasti i fundit është ai i Arben Ibraimit nga Struga me një karrierë prej 21 vjetësh në shërbimin policor, i cili ka zgjedhur të ndërpresë marrëdhënien me uniformën blu dhe të emigrojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por ky nuk është një rast i izoluar. Një numër gjithnjë e më i madh efektivësh policorë – sidomos nga radhët e shqiptarëve
po e
ndjekin këtë rrugë, duke e lënë policinë përballë një boshllëku gjithnjë më të ndjeshëm profesional.
“Ky vendim nuk ka qenë i lehtë, por pas shumë reflektimesh vendosa të mos jem thjesht figurë pa dinjitet në radhët e policisë,” ka deklaruar Ibrahimi. Pas një përvoje të gjatë në hetimin e krimeve dhe në sektorin e krimeve ndërkufitare, si dhe pas shumë trajnimesh me agjenci prestigjioze si DEA amerikane dhe policitë evropiane, ai largohet i zhgënjyer nga realiteti që sundon brenda strukturave policore.
Por çfarë po e shtyn këtë valë të heshtur të ikjeve? Sipas njohësve të sistemit, ndër faktorët më përcaktues është ndikimi i thellë i politikës në funksionimin e institucioneve të sigurisë. Përzgjedhjet, avancimet, emërimet dhe transferimet shpesh nuk bazohen më në meritokraci dhe profesionalizëm, por në afërsinë politike, përkatësinë partiake apo lidhjet personale me pushtetin. Kjo situatë ka krijuar një mjedis demotivues për shumë efektivë me përvojë, të cilët ndihen të lënë mënjanë, të nënvlerësuar dhe të margjinalizuar në karrierën e tyre.
Kjo ndërhyrje sistematike e politikës ka bërë që shumë policë të kualifikuar ta shohin veten pa perspektivë brenda sistemit. Si pasojë, shumë prej tyre po zgjedhin emigrimin – një vendim që nuk përbën vetëm humbje personale për ta, por një dëm serioz për funksionimin afatgjatë të institucioneve të rendit dhe sigurisë.
Nëse ky trend nuk ndalet, institucionet e sigurisë rrezikojnë të kthehen në struktura gjithnjë e më të politizuara dhe më pak funksionale, ku vendimet strategjike dhe operative nuk do të varen më nga profesionalizmi, por nga kalkulimet politike të momentit. Strugalajm

