Më 9 Maj 2025, në Shkup u organizua pritja zyrtare me rastin e Ditës së Evropës, ku Maqedonia e Veriut iu bashkua kremtimeve në nivel kontinental, duke shënuar 75-vjetorin e Deklaratës Schuman – themelin e Bashkimit Evropian. Organizuar nga Ambasadori i BE-së në Shkup, z. Michalis Rokas, ky event mblodhi personalitete të shumta nga jeta politike, diplomatike dhe fetare e vendit.
Në mesin e të ftuarve të nderuar ishte edhe Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili shoqërohej nga Myftiu i Strugës, H. Adi ef. Murtishi dhe z. Agron Vojnika, Drejtor i Zyrës për Mardhënie me Publikun. Pjesëmarrja e tyre dëshmoi rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe bashkëpunimit institucional në kontekstin evropian.
Ky event shërbeu si platformë për theksimin e aspiratave të Maqedonisë së Veriut drejt integrimit evropian dhe vlerave të përbashkëta të demokracisë, solidaritetit dhe bashkëjetesës fetare. Një moment i veçantë iu kushtua edhe tragjedisë së ndodhur në qytetin Koçani, ku të ardhurat nga ekspozita e organizuar gjatë eventit, me vepra të dhuruara nga Shoqata e Artistëve Figurativë të Maqedonisë (DLUM), do t’u dorëzohen familjeve të viktimave përmes Kryqit të Kuq të Maqedonisë.
Pjesëmarrja e Myftiut të Strugës në këtë ngjarje të rëndësishme nënvizoi edhe një herë përkushtimin e Myftinisë së Strugës për të qenë pjesë aktive në zhvillimet ndërfetare dhe shoqërore që ndikojnë pozitivisht në të ardhmen e vendit dhe në përforcimin e rolit të besimit në ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe të bashkuar.
Myftinia e BFI-së Strugë
