Mbrëmje letrare
Mbrëmë, “Klubi i librit – Strugë” organizoi një takim të veçantë kushtuar krijuesve struganë, me temën qendrore: libri, autori dhe lexuesi.
Në fjalën time si krijues dhe studiues, theksova se udhëtimi i përbashkët mes librit, autorit dhe lexuesit i jep frymë fjalës. Libri është dritare për lexuesin dhe dëshmi e kohës, autori zë i ndërgjegjes dhe lexuesi bashkëudhëtar në rrugën e mendimit dhe ndjenjës.
Të shkruarit me zemër është akt qëndrese ndaj padrejtësive dhe përbuzjes së dinjitetit.
Në këtë frymë lexova poezinë “Drejtësi mbi lavdi”, si një thirrje për të mos u pajtuar me zbrazëtinë e lavdive të rreme dhe fjala të mos mbesë vetëm dekor i heshtjes.
/Falënderova vajzat e Klubit të librit, për mikpritjen, përkushtimin dhe mirënjohjen./
Drejtësi mbi lavdi
Shtiracak e bishtpërdredhur,
mësallë me dy a më shumë faqe,
të përkulem nga frika,
të lëpihem për stoli e para,
jo, zotërote!
Kurorë që shpërblehet me turp,
udhë që dredhohet për hir të lavdisë,
tingull që hesht kur zhurma bën ligj,
hije që mbron vese të huaja,
jo, zotërote!
Në hijen time fle nderi pa hile,
fjalën e pastër s’e shes për kopalla,
hijes së huaj s’i kërkoj strehë,
rrënjët i ngul në të vërtetën tokë,
e me dritë qëndroj përmbi dhé,
po, zotërote.
Dheu dhe koha i ruajnë të vërtetat,
rrënjët e fjalës janë të vjetra,
drejtësia i falet atij që meriton,
apo jo, zotërote?!
Xhemi Hajredini
Strugë, 1 maj 2025




