“Therapy knows only one path that leads to success: We connect the person with the
father and mother. That ́s all. Some have less struggles doing it, others have more.
Some remain stuck in reproaches of their parents” (BH, 2014)
Ky ishte titulli i punimit tim, në mbarim të kursit themelor të psikoterapisë psikodinamike. Tema ishte e lidhur me rastin klinik, një vajzë 25 vjeçare, e bijësuar, e cila binte kohë pas kohe në një gjendje depresive, dhe e shihte këtë si pasojë të konflikteve me prindët adoptivë. Biseda me të bëhej pas pune, në klinikën ku isha specializant i psikiatrisë. Ajo paguante 50 korona, sa për ”adet”, që të mos mbetet borxh. Pa bërë këtë psikoterapi nuk më pranohej kursi. Kolegët, të cilëve i mjaftonte CBT-ja, habiteshin me mua, e sa s´më thoshin “S´paske punë tjetër …”, se krahas asaj që më jepej falas, të paguaj një kurs privat të psikoterapisë që duhej ta financoja vet, tre vite me radhë, duke mos llogaritur këtu mbikëqyrjen e pedagoges psikoanaliste dhe terapinë personale, tre vite të tjera në vazhdim.
Më se një dekadë më vonë, kur kisha arritur të mësoj metoda të tjera, në takime e seminare me ekzistencialistë, jungianë, psikosintetistë etj, tek po ndiqja një kurs njëvjeçar të filozofisë, më rastisi ta shoh nga larg klienten time të parë. Më kaploi një ndjenjë turpi, se tani dija diçka më shumë, për dallim nga koha e terapisë sonë, 12 vite më parë. U ndjeva fajtor, se me njohuritë që kisha në atë kohë nuk dita t´ia mësoj disa strategji më të mira.
Tani, gati tre dekada më vonë, ndihem më i kompletuar por kushedi si do të mendoj kur do të ulem t´i shkruaj memoaret e mia, se hambari i diturisë nuk paska kapak😇Gjithsesi, tema që zgjodha ishte shumë domethënëse dhe mendoj se është e tillë edhe sot.
Intervenimi më i rëndësishëm në psikoterapi, siç tregon edhe citati i mësipërm, është ndihma që i jepet klientit apo pacientit, të lidhet më fort me prindët e vet; të marrë frymë thellë dhe, sa të jetë gjallë, t´i mbajë ata në zemër, ashtu si janë, pa i ndryshuar aspak. Prindët janë korniza e fatit tonë, po ja që këtë e kuptojmë tepër vonë☺️
ID 1 maj 2025.
