Delegacionet nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë takuar në Stamboll më 10 prill, për bisedime lidhur me rikthimin e funksionimit të ambasadave të tyre.
Ambasadat përkatëse të të dyja shteteve reduktuan stafin, pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022.
Bisedimet, të dytat e këtij lloji, u mbajtën pasi presidenti amerikan, Donald Trump, pasi mori detyrën në janar kërkoi përmirësimin e raporteve me Rusinë dhe njëkohësisht përfundimin e luftës në Ukrainë.
Uashingtoni ka rinovuar shqetësimet ndaj Rusisë mbi rregullat që ndalojnë stafin vendas të punojë në ambasadën e tij në Moskë, rregulla që Rusia i miratuar më 2021.
Në një deklaratë pas bisedimeve, Departamenti amerikan i Shtetit tha se delegacionet avancuan drejt formalizimit të një marrëveshjeje për qasjen në banka për diplomatët e të dyja shteteve, pavarësisht sanksioneve të SHBA-së ndaj Rusisë.
Trump dhe presidenti rus, Vladimir Putin, kanë bërë deklarata miqësore për njëri-tjetrin, por së fundi udhëheqësi amerikan ka shprehur zemërim me Kremlinin për shkak të përparimit të vogël të bërë në përpjekjet e Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ambasadori rus në SHBA, Alexander Darchiev, që mori pjesë në bisedime, tha për mediat shtetërore ruse se bisedimet u mbajtën “në një atmosferë pozitive”.
