Maqedoni: Skemë mashtrimi me “kredi të shpejta”..!?

Prokuroria Themelore Publike në Shkup sot ka iniciuar procedurë kundër gjithsej 43 personave të cilët përmes veprave të ndryshme të mashtrimit kompjuterik, falsifikimit të dokumenteve dhe keqpërdorimit të të dhënave personale kanë marrë pjesë në mashtrime të shumta të qytetarëve me “kredi të shpejtë”.

Për katër nga të dyshuarit, mes tyre edhe një zyrtar nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ka nisur hetimi për veprat penale – Falsifikimi i dokumentit, Keqpërdorimi i të dhënave personale, Mashtrimi kompjuterik, ndërsa pjesa tjetër janë përfshirë në procedurë me vepra individuale të ndihmës dhe bashkëveprim në çdo rast individual, transmeton Portalb.mk.

Prokuroria, gjatë procedurës para hetimore, në koordinim me MPB-SPB Shkup, siguroi prova të gjera se duke filluar nga korriku i vitit 2022, duke përdorur mënyra të ndryshme të ekzekutimit, të dyshuarit me dashje kanë kryer vepra të lidhura kohore që përbëjnë kryerjen e shumëfishtë të të njëjtave vepra. Duke vepruar kështu, ata përdorën të njëjtat marrëdhënie të përhershme, të njëjtat mundësi dhe rrethana të ngjashme, dhe qëllimi i tyre përfundimtar ishte të merrnin përfitime materiale për veten e tyre”, thonë nga Prokuroria.

Kështu, disa nga të dyshuarit, në kundërshtim me kushtet e përcaktuara me ligj dhe pa pëlqimin e qytetarëve, kanë përdorur të dhëna personale të personave të tjerë, kanë bërë dokumente publike false dhe kanë falsifikuar dokumente të vërteta publike me qëllim që këto dokumente t’i përdorin si të vërteta.

Duke futur të dhëna të rreme në sistemet e informacionit të dhjetëra kompanive të ndryshme “kredi të shpejta”, si dhe duke falsifikuar nënshkrimet elektronike, kanë marrë hua në emra të të dëmtuarve pa dijeninë e tyre, duke krijuar detyrimin për personat që të shlyejnë fondet e dyshuara të marra hua.

“Disa nga të dyshuarit kanë falsifikuar të dhënat e punësimit të personave të papunë, duke i paraqitur si të punësuar dhe të aftë për kredi dhe në bazë të këtyre të dhënave kanë nxjerrë para nga kompanitë e kreditit të cilat më pas ishin të pambledhshme.

Në këtë i ka ndihmuar edhe i dyshuari, zyrtar i punësuar në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore RMV-së, i cili i ka vënë në dispozicion mjete, përkatësisht një numër “EZBO” të cilin e kishte siguruar më parë përmes kompjuterit të tij nga sistemi elektronik i Fondit”, thonë nga Prokuroria.

Individët përdorën informacione të tilla të rreme për të marrë disa kredi nga kompani të ndryshme brenda një dite, duke përfituar kështu përfitime të konsiderueshme financiare. Më pas ata i tërhoqën paratë nga llogaria dhe pjesën më të madhe ua dhanë organizatorëve të dyshuar të mashtrimeve të tilla.

Dobia pasurore e fituar në mënyrë të kundërligjshme nga të gjitha veprimet e tilla gjithsej tejkalon tre milionë denarë.
Prokurori publik do t’i dorëzojë propozim gjyqtarit të hetimeve paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup për caktimin e masës paraburgim për tre nga të dyshuarit të përfshirë në urdhrin hetimor, ndërsa i katërti tashmë është në paraburgim në procedurë për vepër tjetër penale.

Nga ana tjetër, për të njëjtin rast, MPB njoftoi se Njësiti për krim ekonomik dhe korrupsion i SPB Shkup sot ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër 43 personave.

Kujtojmë se dokumentari i investigues “Jetë të vjedhura” nga Investigative Reporting Laboratory (IRL), në dhjetor të vitit që lamë pas zbuloi se një grup i organizuar prodhonte letërnjoftime të falsifikuara me të cilat keqpërdoreshin të dhënat personale të qytetarëve të Maqedonisë, dhe më pas ato përdoreshin për të marrë të ashtuquajturat “kredi të shpejta”.