Maqedoni: Policët filmohen duke ndihmuar të burgosurit për gjetjen e një “topi” me drogë, u bënin dritë me llambat e dorës!

Drejtori i Drejtorisë së burgjeve, Aleksandar Pandov, sot në një konferencë për media ka treguar se në Burgun e Shtipit, të burgosurit pa vështirësi kanë pranuar lëndë narkotike, ndërsa në gjithë situatën janë përfshirë edhe zyrtarë të policisë së burgjeve.

Ngjarja është regjistruar në tërësi nga kamerat e mbikqyrjes në objekt dhe siç konfirmon drejtori i Institucionit Korrektues Shtip, Dejan Zdravev dhe zëvendësi i tij, Gjorgji Hubev, në pamjet video shihet qartë e gjithë procedura.

Sipas Pandovit, më 22 mars, në orën 21:40, në burg ka mbërritur një automjet i cili nuk është regjistruar nga punonjësi i burgut M.T., i cili, pavarësisht ndalesës, ka lejuar veturën të hyjë në portën e fundit, e cila paraqet hyrje të drejtpërdrejtë në ambientet e brendshme të burgut.

Një person ka dalë nga automjeti dhe ka hedhur një top mbi mur. Menjëherë më pas, të burgosurit Zh.Zh., i njohur për opinionin dhe R.K. kanë arritur në oborr. Në video shihet Zh.Zh. Ai flet në celular ndërsa kërkon diçka në lëndinë me të burgosurin tjetër. Paraqitet edhe një polic i burgjeve dhe u thotë se në atë periudhë nuk lejohen të jenë jashtë – tha Pandov.

Sipas tij, komandanti T.I. menjëherë thirri pesë oficerë të tjerë të burgut: Z.G., T.S., S.J., M.T. dhe S.M. Por në vend që të parandalonin apo kontrollonin atë që po ndodhte, ata iu bashkuan kërkimit.

– I burgosuri Zh.Zh. vazhdoi të fliste në telefon, edhe pse është rreptësisht e ndaluar. Ai ka përshëndetur efektivët e policisë, të cilët së bashku me të dhe me llamba dore kanë nisur të kontrollojnë lëndinën. Ajo që është më shqetësuese është se në vend që ta ndalojnë, po e ndihmojnë në kërkimin e tij – tha Pandov.

Pavarësisht aksionit të përbashkët, “topi” nuk u gjet menjëherë. Të nesërmen, drejtori i burgut urdhëroi një kontroll të detajuar, i cili përfundimisht zbuloi se topi përmbante 35 gramë kokainë dhe rreth 50 gramë marihuanë.

– Kur pyeti policinë dhe të burgosurit se çfarë kërkonin, shpjegimi ishte absurd. Ata pretenduan se i burgosuri Zh.Zh. po luante me qenin Ceca dhe ajo ia mori orën e shtrenjtë që ai nuk e kishte deklaruar kur hyri në burg. Qeni iku me orën në barë dhe vetëm e ndihmuan ta gjente – thotë Pandov.

U formua një Komision Disiplinor, i cili pavarësisht provave vendosi se tre nga punonjësit e policisë nuk ishin fajtorë. Tre anëtarë të komitetit votuan kundër sanksionimit, duke besuar se me të vërtetë po kërkonin një orë.

– Pres sanksione adekuate për të gjithë të përfshirët. Gjithçka është e dokumentuar dhe personat që kanë hedhur topin me drogën mbi murin e burgut janë identifikuar – tha drejtori Pandov.